Bota26 Shkurt 2023, 17:46

Frika nga përshkallëzimi i luftës, NATO nis patrullimet ajrore në kufirin Rumani-Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti
Frika nga përshkallëzimi i luftës, NATO nis patrullimet ajrore

Siguria ajrore ka qenë një shqetësim kryesor në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus dhe për vendet e NATO-s në kufi me Ukrainën dhe Rusinë, kjo është një përgjegjësi. Pilotët e avionëve luftarakë nga Italia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera vendosen me rotacion në vendet e krahut lindor të aleancës për të patrulluar vazhdimisht hapësirën ajrore të NATO-s. Anëtarët e Forcave Ajrore Italiane kanë nisur stërvitjet për të evituar kërcënimet që mund të shfaqen në hapësirën ajrore të Rumanisë.

Një avion italian “Eurofighter” po patrullon hapësirën ajrore pranë kufirit të Rumanisë me Ukrainën.

Koloneli italian Michele Morelli tha për Zërin e Amerikës se ekipi i tij prej 150 personash mbërriti në këtë bazë ajrore rumune për një mision:

“Në thelb, ne jemi këtu për të mbrojtur hapësirën ajrore rumune nga çdo lloj kërcënimi që mund të shfaqet”, thotë ai.

Ata janë pjesë e një operacioni masiv të patrullimit të hapësirës ajrore të NATO-s, i krijuar në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Rusia mund të thotë se kjo është provokuese, por NATO thekson se kjo është thjeshtë një përpjekje për frenimin e shkeljes së hapësirës së saj ajrore.

“Natyrisht, kjo është një masë për frenimin e krëcënimeve. Ne nuk jemi këtu për të marrë pjesë në ndonjë luftë”, thotë koloneli italian Morelli.

Ata shërbejnë si një lloj mbrojtje kolektive në të gjithë hapësirën ajrore të NATO-s.

“Nëse ka kërcënime, ata nuk mund të presin që një vend i vetëm të përballet me atë kërcënim, por një organizatë e madhe si NATO, me shumë avionë luftarakë, shumë pilotë të gatshëm për të mbrojtur vendin”, thotë piloti italian.

Për të testuar gatishmërinë e tyre, Morelli dhe ekipi i tij italian kryejnë stërvitje për të parë se sa shpejt mund të ngritën në ajër. Këto prova ata i bëjnë në çdo moment, ditën dhe natën.

Ekipit të Morellit iu deshën vetëm 11 minuta për t’u ngritur në ajër. Por piloti italian thotë se ata do të kryejnë një stërvitje tjetër brenda disa ditësh për të përmirësuar më tej shpejtësinë e reagimit, duke e ditur se çdo sekondë është e rëndësishme nëse përballen me një kërcënim real në hapësirën ajrore të NATO-s.

nato ukraina