Liderët e vendeve më të industrializuara u mblodhën në Évian-les-Bains mes krizave globale, ndërsa marrëveshja e re mes SHBA-së dhe Iranit dominoi takimet e para të samitit.
Samiti i G7 ka nisur zyrtarisht punimet në Évian-les-Bains të Francës, ku liderët e shtatë ekonomive më të mëdha demokratike janë mbledhur në një moment që kancelari gjerman Friedrich Merz e përshkroi si "jashtëzakonisht të trazuar për politikën botërore".
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte pritën liderët në Hotel Royal, selia e samitit, me pamje nga Liqeni i Gjenevës. I pari që mbërriti ishte presidenti amerikan Donald Trump, i cili u pasua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministri kanadez Mark Carney, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, si dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian.
Vëmendja e ditës së parë u përqendrua te takimi dypalësh mes Macron dhe Trump, i zhvilluar pak para ceremonisë zyrtare të hapjes së samitit. Presidenti amerikan e cilësoi homologun francez si "një mik të veçantë", duke theksuar se të dy kanë bashkëpunuar në një sërë çështjesh ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Macron e cilësoi marrëveshjen e arritur mes SHBA-së dhe Iranit si një hap të rëndësishëm për stabilitetin ndërkombëtar.
"Do të marrim përgjegjësitë tona për të mbështetur këtë marrëveshje, e cila përbën një hap shumë të rëndësishëm për paqen dhe ekonominë globale", deklaroi presidenti francez.
Trump konfirmoi se marrëveshja me Teheranin mbetet prioriteti kryesor i momentit, duke njoftuar se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet plotësisht të premten.
"Po kërkojmë ende disa mina detare, por anijet tashmë kanë filluar të lëvizin. Tani kemi marrëdhënie shumë të mira me Iranin dhe me udhëheqjen e re", deklaroi ai.
Presidenti amerikan nuk përjashtoi as mundësinë që të udhëtojë personalisht në Zvicër për ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin, e planifikuar për të premten.
"JD Vance do të jetë atje. Unë mund të jem, por mund edhe të mos jem. Do të varet nga zhvillimet e ditëve në vijim", tha Trump.
Pavarësisht rëndësisë së dosjes iraniane, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se pas kësaj marrëveshjeje fokusi i administratës së tij do të zhvendoset te lufta në Ukrainë.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili deklaroi se samiti po zhvillohet në një periudhë sfiduese për rendin ndërkombëtar, por shtoi se sheh shenja të reja për përparim diplomatik në konfliktin ruso-ukrainas.
"Ukraina ndodhet sot në një pozicion më të fortë. Rusia nuk mund të fitojë ushtarakisht dhe ekonomia e saj është dobësuar. Për herë të parë mund të hapet gradualisht një dritare për diplomacinë", tha Merz.
Ndërkohë, samiti është shoqëruar edhe nga protesta kundër G7. Autoritetet zvicerane njoftuan se më shumë se 20 persona janë shoqëruar në polici dhe tre janë arrestuar pas incidenteve të regjistruara gjatë demonstratave anti-G7 në Gjenevë. Policia raportoi për përplasje me grupe radikale, përdorim gazi lotsjellës dhe dëmtime të automjeteve të forcave të rendit.
Pas fotos tradicionale familjare, liderët e G7 morën pjesë në darkën inauguruese, e cila shënon nisjen e diskutimeve që pritet të dominohen nga marrëveshja SHBA-Iran, lufta në Ukrainë, siguria energjetike dhe e ardhmja e ekonomisë globale. /Pamfleti
Lini një Përgjigje