Bota17 Maj 2024, 19:52

Gafat e Biden po i dhurojnë fitoren Putin dhe Xi në misionin e tyre për shkatërrimin e botës së lirë

Shkruar nga Allister Heath
Gafat e Biden po i dhurojnë fitoren Putin dhe Xi në misionin e tyre
Presidenti amerikan /

Joe Biden është presidenti më i keq i SHBA-së që nga koha e Jimmy Carter. Ai është i specializuar në tradhtimin e miqve të Amerikës dhe në shpërblimin e armiqve të saj, në poshtërimin e Perëndimit dhe në fuqizimin e autokracive të Jugut Global.

Arroganca e tij tipike është shtuar akoma më shumë nga gjendja e përkeqësuar fizike dhe mendore. Biden sillet si një sundimtar perandorak që nuk heq dorë nga gafat. Ai dërgon sinjale të përziera, flirton me autokratët, sulmon pa mëshirë aleatët, mikro-menaxhon konfliktet komplekse nga një distancë dhe nga pozitat e të paditurit.

Kësisoj, ai i zemëron në mënyrë të pashmangshme të dyja palët në një debat. Nën udhëheqjen e tij, fuqia supreme ekonomike, teknologjike dhe ushtarake e botës shfaq dobësi, vetë-dyshim dhe pasiguri morale. Në parim, Xi Jinping dhe Vladimir Putin nuk duhej të kishin sot shumë arsye për të festuar.

Por këtë javë ata mbajtën një samit triumfalist, të inkurajuar nga apatia e Biden ndaj forcave anti-perëndimore brenda dhe jashtë vendit, dhe gabimet e tij strategjike dhe taktike. Aksi Kinë-Rusi-Iran-Koreja e Veriut, është sërish në marshim të plotë.

Reputacioni i Amerikës në botën në zhvillim, është në pikën më të ulët që nga vitet 1970: jashtë Perëndimit, kanë rëndësi forca, qëndrueshmëria dhe vendosmëria, dhe askush nuk e respekton frikacakun dhe të lëkundurin. Biden u distancua dy herë nga Britania për shkak të Brexit, duke marrë anën e BE-së dhe Irlandës, dhe shfaqur përbuzje për “marrëdhënien e veçantë” midis dy vendeve tona.

Ai ndihmoi në rivendosjen e regjimit taleban të Epokës së Gurit në Afganistan. Tërheqja e tij e dështuar nga atje, e inkurajoi Putinin të pushtonte Ukrainën. Të njëjtën gjë shkaktoi edhe  pretendimi qesharak i Biden, se “një inkursion i vogël” i rusëve mund të mos shkaktonte një përgjigje të fortë të SHBA-së.

Më pas, ai u ka dhënë ukrainasve heroikë aq ndihmë sa për të mbrojtur veten, por jo për të fituar. Shumë republikanë vepruan në një mënyrë po aq të neveritshme. Por tani problemi  është ndërpartiak:s’ka asnjë mundësi që edhe një Biden i rizgjedhur, të financojë Ukrainën me 60 miliardë dollarë në vit në një luftë të gjatë.

Kievi tashmë është tradhtuar. Paketa e fundit, ishte ndoshta ndërhyrja e fundit e madhe e Biden:pasi i dha Volodymyr Zelensky-t një shpresë të rreme, ai në fund do të bjerë dakord me një zgjidhje të negociuar, i cili do t’ia dorëzojë fitoren boshtit të së keqes.

Tradhtia e Biden ndaj Izraelit ka qenë edhe më skandaloze. Ai e ka ndihmuar në të njëjtën kohë në një mënyrë të paprecedentë, përmes ndihmës direkte në armatime, teksa e ka penguar duke synuar ta kontrollojë atë, dhe në fund e sabotoi luftën e tij ndaj Hamasit.

Në një lëvizje tejet miope për të qetësuar bazën e tij majtiste, Biden e ka pranuar dogmën toksike të krahut të majtë që kriminalizon të gjitha luftërat (edhe pse vetëm kur ato zhvillohen nga demokracitë), madje edhe ato për vetëmbrojtje. Ai ka vënë vazhdimisht në dyshim nëse Izraeli ka shkelur të drejtat e njeriut.

Presidenti i SHBA-së i ka dorëzuar miliarda dollarë Iranit, financuesit kryesor të terrorizmit në botë dhe furnizuesit të armëve për Putinin, dhe ka dështuar të zbatojë siç duhet sanksionet e vendosura ndaj tij. Po ashtu, e ka shpërblyer Katarin për vazhdimin e strehimit të Hamasit. Është armiqësuar me Arabinë Saudite, duke e prishur koalicionin anti-Iran. Vazhdon të tolerojë tradhtinë e Erdoganit, edhe kur demagogu turk njofton se po i stërvit anëtarët e Hamasit në spitalet e tij, duke u tallur me unitetin e NATO-s.

Nigeri po dëbon 1000 ushtarët amerikanë, duke e forcuar ndikimin e Rusisë në Afrikën Perëndimore dhe hedhur poshtë nismat e SHBA-së kundër terrorizmit në rajonin e Sahelit. Lojtarët e paangazhuar por në forcim të vazhdueshëm, si Emiratet e Bashkuara Arabe, po fitojnë terren në Afrikë, ndërsa po bie ndjeshëm fuqia e Uashingtonit.

Interesi i vetëm i vërtetë i Biden, duket se është frenimi i pushtimi të Tajvanit nga Kina. Por pse dikush duhet ta besojë, se Amerika do të jetë e palëkundur në këtë mbrojtje, duke pasur parasysh të kaluarën e saj? Si mund ta marrë seriozisht Xi Jinping Joe Biden-in?

Edhe më zhgënjyes është fakti që Rusia dhe Kina, duhet të ishin në mesin e një krize ekzistenciale, teksa një president imagjinar i SHBA-së me stilin e Reagan, duhet të lëvizte për t’i dhënë grushtin fatal. Pavarësisht përparimeve të saj në Inteligjencën Artificiale dhe makinat elektrike, ekonomia e Kinës është dobësuar nga sistemi i kredive të drejtuara nga qendra, flluskat e pafundme në sektorin e pasurive të paluajtshme, egërsia e bllokimeve anti-Covid, shtypja e sipërmarrjes së pavarur dhe kriza demografike.

Sot nuk është më e sigurt, nëse ekonomia e saj do të kapërcejë ndonjëherë atë të Amerikës.

Javier Milei, presidenti i shkëlqyer i Argjentinës, është larguar nga orbita e Kinës, duke i dhënë një goditje nismës së Pekinit “Brezit dhe Rruga”. Rusia është në një rënie përfundimtare dhe ka pësuar një goditje të jashtëzakonshme ekonomike dhe njerëzore nga pushtimi i neveritshëm i Ukrainës.

Megjithatë, të dyja autokracitë e kanë shfrytëzuar maksimalisht administratën e ngathët të Joe Biden. Putini është kthyer në një vasal të kinezëve, duke u shitur atyre energji dhe mallra me çmime të ulëta, në këmbim të mallrave të konsumit, elektronikës dhe komponentëve të specializuar për luftën e tij.

Tregtia kino-ruse u rrit 26 për qind vitin e kaluar, kompanitë kineze kanë kapur pjesën më të madhe të tregut rus të makinave dhe pjesë të ekonomisë ruse po juanizohen. Kinezët kanë vonuar enkas zbatimin e projektit “Siberia 2”, një gazsjellës shumë i madh, për ta detyruar Rusinë të ulë më tej çmimet e saj.

Por ndërsa kjo ka ardhur me një kosto të lartë, Putin është shpëtuar nga marrëdhënia e tij e pabarabartë me Xi-në, dhe kinezët e kanë forcuar perandorinë e tyre gjeopolitike dhe sistemin e tyre financiar alternativ. Samiti i tyre, nxori në pah një bashkëpunim edhe më të madh, pjesërisht për të shmangur sanksionet e SHBA ndaj bankave kineze (duke e bërë tregtinë më të vështirë me Rusinë) dhe eksportet e makinave elektrike.

Të dyja autokracitë duhet të qeshin me mënyrën sesi propaganda anti-izraelite e epokës sovjetike - sloganet antisemite - po vijon të përhapet 50 vjet më vonë. Se si një rini perëndimore neo-komuniste me një tru të shpërlarë, e urren një sistem që i ka bërë ata njerëzit më të privilegjuarit në histori, dhe si është menaxhuar kaq keq migracioni në Evropë.

Po ashtu, ata mund të gëzohen me paaftësinë tonë për ta marrë seriozisht luftën. Emërimi nga Putin i ekonomistit Andrei Belousov si Ministër i Mbrojtjes, konfirmon se prioriteti i tij mbetet prodhimi i jashtëzakonshëm të armatimeve për të mposhtur një Perëndim të padobishëm.

Stoqet amerikane dhe evropiane të municioneve po mbarojnë, megjithatë nuk ka asnjë ndjenjë emergjence dhe asnjë riarmatim të vërtetë. Boshti i së keqes, po i përshkallëzon aktet e spiunazhit dhe të terrorizmit. Agjentët e Iranit gjenden në gjithë Perëndimin.

Grupi Vagner akuzohet se ka kryer zjarrvënie në Londër. Ka pasur disa arrestime për spiunazh për llogari të Kinës. Britania duhet të përmirësojë lojën e saj, por Putin dhe Xi po inkurajohen nga dobësia e Joe Biden. Presidenca e tij ka qenë një katastrofë për botën e lirë./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

gafat e joe biden putin xi