
Ajo synon të ruajë marrëdhënien speciale me Trump por edhe protagonizmin në Evropë. Por loja e saj me dy porta nuk po pëlqehet më nga asnjë palë...
Ishin kohë të arta ato të samitit të G7 në Pulja në mesin e qershorit 2024. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u prezantua si udhëheqëse botërore. Në foton e përbashkët, ajo u pozicionua midis presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe atij francez Emmanuel Macron.
Më pas vinin kryeministri britanik Rishi Sunak, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Ata ishin të gjithë të buzëqeshur. I ftuar nderi ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Shtetet e Bashkuara e vlerësuan Melonin për “mbështetjen e palëkundur të Italisë për Ukrainën”. Dhe ajo ishte në gjendje të merrte meritën e pazakontë për një lider të një partie të ekstremit të djathtë. Edhe pse kanë kaluar vetëm 9 muaj nga ai samit, ajo foto ngjan tani shumë e vjetër.
Sepse që nga 20 janari, Shtëpia e Bardhë nuk udhëhiqet më nga Joe Biden, por nga Donald Trump, i cili ka ndryshuar tërësisht kartat e politikës botërore. Që kur mori drejtimin e qeverisë italiane në tetor 2022, Meloni ka punuar shumë për të ndërtuar një imazh të mirë dhe të besueshëm në arenën ndërkombëtare.
Italia ka respektuar jo vetëm të gjitha traktatet evropiane, veçanërisht në aspektin e politikës fiskale, por Meloni ka krijuar një marrëdhënie të mirë me presidenten e Komisionit Evropian von der Leyen, të cilën e ka shoqëruar disa herë në udhëtime në Tuniz, Kajro dhe Lampeduza, pasi ka gjetur tek Komisioni një aleat të fortë në favor të qasjes së ashpër kundër emigrantëve të paligjshëm.
Dhe angazhimi i Melonit ka dhënë frytet e saj. Kur u emërua Komisioni i ri Evropian në nëntor 2024, Italia arriti të imponojë kandidatin e saj, Raffaele Fitto nga partia Fratelli d’Italia, në postin e zëvendës/presidentit ekzekutiv.
E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet transatlantike. Në një foto të bërë në Shtëpinë e Bardhë në mars 2024, Meloni buzëqesh kur presidenti amerikan e puth në ballë. Kryeministrja kishte fituar respektin e Joe Biden sepse nuk e kishte ndjekur shembullin e udhëheqësit hungarez Viktor Orbán në sjelljen e tij rebele në NATO dhe Bashkimin Evropian, kishte mbështetur Ukrainën, sanksionet kundër Rusisë dhe dërgimin e armëve në Kiev.
Por sot ajo s‘ka rëndësi. Sipas Trump, Ukraina është një vend i qeverisur nga një diktator, të cilin pak javë më parë e përzuri nga Zyra Ovale. NATO është një organizatë për të cilën Shtetet e Bashkuara nuk synojnë të paguajnë më, dhe Bashkimi Evropian nuk është gjë tjetër veçse një klub i themeluar enkas për të mashtruar Uashingtonin.
Pra ka ikur koha kur Meloni e dëshmoi veten një mjeshtre të diplomacisë. Edhe pse mbetet një veprimtari që ajo e zotëron mirë, duke qenë se edhe në vitet në të cilat po përpiqej të shndërrohej nga një post-fashiste në shtetare, arrinte gjithmonë t’i qëndronte besnike dashurive dhe miqësive të vjetra.
Për shembull në vitet 2019 dhe 2022, ishte në Shtetet e Bashkuara në konferencat konservatore botërore, ku ishin të pranishëm mbështetësit e Trump. Ndërkohë në vitet 2023 dhe 2024, dërgoi një delegacion nga partia e saj.
Për më tepër, Meloni nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim afërsinë e tij ideologjike me Trump. Edhe më 6 janar 2021, ditën e sulmit ndaj Kongresit, ajo shmangu çdo lloj kritike ndaj tij. Madje i vlerësoi përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund dhunës.
Ndërkohë në shkurtin e vitit 2020, si e ftuar në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve (një ngjarje vjetore e mbajtur në Uashington dhe ku marrin pjesë politikanë amerikanë dhe të ftuar nga më shumë se 100 vende), Meloni e etiketoi Trumpin si “një model”, të rreshtuar ashtu si ajo me “Zotin, vendin, familjen” dhe “në mbrojtje të identitetit, kufijve dhe familjes amerikane”.
Ky vizion i përbashkët, i shërbeu shumë mirë kur Trump u rizgjodh president. Më 5 janar të këtij viti, ajo shkoi në rezidencën luksoze të Trumpit në Mar-a-Lago, Florida, dhe ai e quajti një “grua fantastike”.
Më 20 janar, Meloni ishte e vetmja udhëheqëse evropian, që mori një ftesë në Uashington për inaugurimin e presidentit të ri. Po ashtu, ajo ka marrëdhënie të mira me Elon Musk: në qershorin e vitit 2023 e priti atë në Romë, dhe në atë kohë që të dy po flisnin për Inteligjencën Artificiale dhe rënien e lindjeve.
Në dhjetor 2023, Musk foli në Atreju, konventën e organizuar nga krahu rinor i Fratelli d’Italia, duke minimizuar problemin e ndryshimeve klimatike. Ishte po ai që mbajti fjalimin për nder të Melonit në shtator 2024, kur ajo u nderua me Çmimin Global Citizen në Nju Jork.
Në atë rast, Musk nuk i kurseu komplimentet, duke i thënë se e “adhuron” dhe e konsideron atë “origjinale, të ndershme, të vërtetë”, “madje më të bukur brenda se sa jashtë”. Me pak fjalë, edhe gjatë presidencës Biden, Meloni mbajti marrëdhënie të shkëlqyera me mbështetësit e Trump.
Por çfarë do të bëjë tani? Një ide fillestare, mund ta krijojmë duke vëzhguar mënyrën se si Meloni reagoi ndaj përplasjes në Zyrën Ovale midis Trump dhe Zelenskyt. Ndërsa Von der Leyen, Macron, Scholz dhe Keir Starmer bënë deklarata të forta solidariteti me presidentin ukrainas, Meloni, pa ia përmendur emrin presidentit ukrainas, këmbënguli mbi nevojën për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” dhe për një “forcim të pozitës së Ukrainës”, duke shtuar se “çdo ndarje e Perëndimit na bën të gjithëve më të dobët”.
Disa ditë pas përplasjes së fortë Trump-Zelensky, kur iu kërkua të mbante një qëndrim, ajo tha se pyetje të tilla përbënin një “polemikë për hir të polemikës”, duke theksuar se “tifozeria” ndaj njërit apo tjetrës palë nuk i sjell dobi askujt.
Po sipas saj, ishte “urgjent” një samit midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por në të dyja anët e Atlantikut, askush nuk po flet për këtë samit të mundshëm. Meloni do të donte të pritej në një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Vetëm se askush atje nuk ka ndërmend të shfrytëzojë ndërmjetësimin e saj. Nuk ka asnjë takim në horizont, ose ndoshta, sipas burimeve të qeverisë italiane, ai do të ndodhë “nga fundi i marsit”. Meloni nuk bën tifo as Trumpin dhe as për Zelenskyn, që dikur e vlerësonte.
Ajo duket sikur ka zgjedhur të flasë me heshtje. Këto javë ka shmangur çdo deklaratë ose thotë gjëra të parëndësishme. Për shembull, thotë se synon ta analizojë botën në ndryshim “me kokë të ftohtë, pa u prekur nga emocionet dhe me një reflektim strategjik”.
Thuhet se ajo bisedon rregullisht në telefon me Trump, dhe se ka folur me të një ditë pas skenës së shëmtuar në Zyrën Ovale. Thuhet se përmbajtja e këtyre telefonatave është aktualisht e klasifikuar. Nga ana tjetër, thuhet se Meloni e vlerësoi fjalimin e zëvendës/presidentit amerikan JD Vance në konferencën e sigurisë në Mynih, duke shtuar se nuk e kuptonte se përse të gjithë në Evropë ishin kaq të zemëruar.
“Vance po fliste për çështje të thella: identitetin, demokracinë, lirinë e fjalës”- tha kryeministrja italiane, duke nënvizuar se e di shumë mirë se “Evropa është sakrifikuar në altarin e majtizmit, burokracisë, merkantilizmit”.
Nga ana tjetër, vazhdon ta mbështesë botën që Trump po e shkatërron: u thur lavde ukrainasve, “një popull krenar, që lufton për liri”, bën thirrje për mbrojtjen e NATO-s dhe dëshiron të që ofrohen për Ukrainën “garancitë e nenit 5”, pra angazhimin për ndihmën e NATO-s në rast agresioni.
Por në të njëjtën kohë thotë se nuk do të dërgojë në Ukrainë trupa italiane në kuadër të një misionit paqeruajtës. “Do të bëj gjithçka për ta mbajtur Perëndimin të bashkuar”- është motoja e saj. Oferta e Melonit është aty, por mungon kërkesa.
Deri më tani as Macron, as Starmer dhe as Trump nuk kanë treguar interes për të përdorur ndërmjetësimin e saj. Meloni e gjen veten në një pozicion të vështirë, midis kudhrës dhe çekanit. /Përshtati Pamfleti nga Internazionale/
Lini një Përgjigje