
Policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë një protestë të dhunshme kundër emigracionit në qytetin e Hagës, të shtunën pasdite, ku qindra persona u përplasën me forcat e rendit dhe shfaqën simbole të së djathtës ekstreme.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve ANP, rreth 1.500 protestues bllokuan një autostradë në qytet, ndërsa një makinë policie u dogj. Në përleshjet me policinë, 30 persona u arrestuan dhe dy oficerë mbetën të plagosur. Protestuesit hodhën gurë dhe shishe, ndërsa valëvitnin flamuj holandezë dhe simbole të së djathtës ekstreme.
Kryeministri holandez Dick Schoof e quajti dhunën “tronditëse dhe të turpshme”, duke e cilësuar si “krejtësisht të papranueshme”. Edhe lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, i cili udhëhoqi zgjedhjet e fundit dhe pritet të mbetet favorit në votimet e 29 tetorit, u shpreh se “sulmet ndaj policisë janë të neveritshme” dhe fajësoi për dhunën “idiotë që nuk përfaqësojnë kauzën”.

Protesta ishte organizuar nga aktivistë të ekstremit të djathtë, të cilët kërkojnë masa më të ashpra kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve. Situata degjeneroi kur një grup protestuesish sulmuan zyrat e partisë së qendrës së majtë D66, të konsideruar nga e djathta ekstreme si përfaqësuese e elitës progresiste. Dritaret e selisë u thyen dhe brenda zyrës u shkaktuan dëme të konsiderueshme.
Kreu i D66, Rob Jetten, reagoi me zemërim: “Nëse mendoni se mund të na frikësoni, jeni gabuar rëndë. Nuk do ta lejojmë kurrë që vandalët ekstremistë të na marrin vendin”.
Askush nuk ndodhej brenda zyrave në momentin e sulmit, sipas burimeve zyrtare të partisë.
Kriza politike në Holandë u thellua që në qershor, kur qeveria ra pas tërheqjes së Partisë për Liri (PVV) të Wilders nga koalicioni qeverisës, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e emigracionit. Wilders kishte kërkuar ndalimin e përkohshëm të azilit, ndërprerjen e ndërtimit të qendrave të pritjes dhe kufizimin e bashkimeve familjare – kërkesa që nuk u pranuan nga partnerët e tij në qeveri.
Lini një Përgjigje