
E hëna nisi me një shpërthim në orën 10:00 të mëngjesit, kur një predhë tanku izraelit goditi fasadën e spitalit Nasser, një nga pak klinikat ende funksionale në Gaza. Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar një “kamerë të Hamasit” të përdorur për të ndjekur lëvizjet e trupave dhe prandaj autorizoi përdorimin e një droni. Por në vend të kësaj, tanku hapi zjarr mbi objektin.
Objektivi i goditur nuk ishte një pajisje e Hamasit, por kamera e agjencisë Reuters, që transmetonte drejtpërdrejt për botën imazhet e luftimeve. Operator i saj, Hussam Al Masri, humbi jetën në vend. Transmetimi “live” u ndërpre në çast, me një re pluhuri që mbuloi ekranin si imazhi i fundit.
Pak minuta më vonë, ndërsa gazetarë dhe ekipet e ndihmës hynë në spital për të shpëtuar të plagosurit, një tjetër predhë tanku goditi drejtpërdrejt turmën. Goditja u regjistrua përsëri “live” nga një tjetër kamerë.
Në vendngjarje mbretëroi paniku. Dëshmitarët thanë se predha e dytë u qëllua në mënyrë të qëllimshme për të penguar mbërritjen e ambulancave dhe për të goditur shpëtimtarët.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e cilësoi incidentin si një “gabim tragjik” dhe kërkoi falje publike. Ushtria izraelite (IDF) tha se ka hapur një hetim, por nuk dha përgjigje nëse ushtarët përdorën taktiken e njohur si “double tap” – dy goditje të njëpasnjëshme, e para ndaj objektivit dhe e dyta ndaj atyre që nxitohen për të ndihmuar.
“Double tap”: një taktikë e ndaluar nga e drejta ndërkombëtare
Sipas dëshmive të publikuara nga portali izraelit +972, oficerë të angazhuar në ofensivë kanë pranuar se përdorin këtë metodë për t’u siguruar që shënjestra të mos mbijetojë. Të tjerë kanë thënë se përdoret për të penguar mbërritjen e ambulancave.
Kjo praktikë është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar, pasi godet civilë dhe shpëtimtarë. Megjithatë, është përdorur edhe nga ushtria amerikane gjatë sulmeve me dron kundër Al Kaedës në Pakistan, nga rusët në Siri dhe Ukrainë, por edhe nga vetë Hamas në atentate me dy shpërthime të njëpasnjëshme.
Lini një Përgjigje