Videoja virale e Trump duke fjetur në Shtëpinë e Bardhë është një nga shumë të tjerat këtë vit dhe doli menjëherë pasi Sekretari i Shtetit Rubio tha i sigurtë se: "Nuk e kam parë kurrë të flejë".
Një video e presidentit amerikan Donald Trump i përgjumur gjatë një takimi mbi industrinë e qymyrit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale.
Për një politikan që fitoi zgjedhjet presidenciale duke e etiketuar shpesh kundërshtarin e tij Joe Biden si “Sleepy Joe” (“Joe i përgjumuri”), pamjet përbëjnë një goditje të pakëndshme për imazhin e tij publik. Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë nisur ta quajnë Trumpin me nofka të ngjashme si “Sleepy Trump” (“Trump i përgjumuri”) ose “Commander in Sleep” (“Komandanti në gjumë”).
Videoja është regjistruar më 4 qershor. Trump po dëgjonte një seri fjalimesh ndërsa ishte ulur pas tavolinës së tij në Zyrën Ovale. Në disa momente, qepallat i rëndohen dukshëm dhe koka i anohet anash, duke krijuar përshtypjen se po e zinte gjumi.
Trump is now sitting back in his chair and dozing off pic.twitter.com/376koU6XNK
— Aaron Rupar (@atrupar) June 4, 2026
Nuk është hera e parë që presidenti amerikan përballet me akuza të tilla. Vetëm një ditë më parë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, gjatë një seance dëgjimore në Kongres, mohoi pretendimet se Trump kishte fjetur ndonjëherë gjatë aktiviteteve zyrtare.
Përkundrazi, Rubio deklaroi me humor se "Ai njeri nuk fle. Dhe kjo është problem, sepse më telefonon në dy të mëngjesit dhe pastaj përsëri në pesë të mëngjesit."
Debati për shëndetin e presidentit
Ngjarja ka rikthyer diskutimet publike mbi gjendjen fizike dhe energjinë e presidentit 80-vjeçar.
Komediani amerikan Seth Meyers i kushtoi episodit një pjesë të emisionit të tij satirik. Duke komentuar deklaratën e Rubios, ai tha: "E besojmë. Prandaj fle gjatë ditës."
Meyers vijoi me shaka duke e krahasuar Trumpin me rakunët që flenë gjatë ditës pasi qëndrojnë zgjuar natën duke kërkuar mbeturina. Sipas tij, presidenti mund të jetë duke kërkuar natën një hamburger Big Mac, ndërsa pjesën tjetër të kohës publikon imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale ku paraqitet si Jezusi, në malin Rushmore ose duke hipur mbi kalë së bashku me George Washingtonin.
Shtatë episode të ngjashme në vitin 2026 për Trump
Sipas raportimeve dhe videove që kanë qarkulluar gjatë vitit, Trump është filmuar duke u dukur i përgjumur ose me sytë e mbyllur në të paktën shtatë raste të ndryshme.
Një prej tyre ndodhi në mars, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, gjatë një ceremonie për Memorial Day, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbante fjalim. Një video tregohej Trump me sytë e mbyllur për rreth 30 sekonda.
Në një rast tjetër, gjatë një mbledhjeje disaorëshe të kabinetit qeveritar, kamerat e filmuan me sytë e mbyllur për një periudhë të gjatë.
Trump reagoi më pas duke deklaruar: "Isha i mërzitur, jo në gjumë."
Gjithashtu, në mars ai u përfol se kishte fjetur gjatë një takimi për sigurinë në Memphis, Tennessee. Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet, duke sqaruar se presidenti thjesht po "puliste sytë".
Ironia e Hunter Biden
Në debat u përfshi edhe Hunter Biden, djali i ish-presidentit Joe Biden, i cili kujtoi talljet e vazhdueshme që Trump i kishte bërë të atit.
Në një koment ironik në rrjetet sociale, ai shkroi "E shihni? Ju kisha thënë se është klon. Vazhdimisht harrojnë t’ia karikojnë baterinë."
Ky koment u shpërnda gjerësisht në internet dhe u bë pjesë e valës së reagimeve satirike që pasuan publikimin e videos.
Lini një Përgjigje