Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka pranuar se gjatë qeverisjes së saj ka pasur mangësi në disa fusha të rëndësishme, veçanërisht në mbrojtje, klimë dhe emigracion.
Duke folur në një intervistë, Merkel tha se Gjermania nuk veproi me shpejtësinë e nevojshme për të përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes në nivelin 2% të PBB-së.
“Kur e shohim sot, nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë”, tha ajo, duke pranuar se edhe pse buxheti i mbrojtjes u rrit gjatë viteve të qeverisjes së saj, ritmi i rritjes nuk ishte i mjaftueshëm. Megjithatë, Merkel theksoi se vendimet e marra në atë kohë ishin në përputhje me situatën e sigurisë që ekzistonte atëherë.
Ajo pranoi gjithashtu se rezultatet në politikën klimatike nuk ishin në nivelin e nevojshëm.
“Nuk mund të them se bëmë aq sa duhej”, u shpreh ish-kancelarja, e cila foli edhe për vonesat në procesin e dixhitalizimit, duke pranuar se Gjermania lëvizi me ritme të ngadalta në këtë drejtim.
Sa i përket emigracionit, Merkel mbrojti politikat e ndjekura nga qeveria e saj, duke argumentuar se autoritetet gjermane arritën rezultate të rëndësishme përballë fluksit të lartë të migrantëve. Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë në uljen e numrit të mbërritjeve.
E pyetur për qasjen e qeverisë aktuale ndaj emigracionit, Merkel ritheksoi kundërshtimin e saj ndaj kontrolleve kufitare, ndërsa vlerësoi progresin që Bashkimi Europian ka bërë në bashkëpunimin mes shteteve anëtare.
Ish-kancelarja pranoi gjithashtu se politika e saj për refugjatët ndikoi në rritjen e mbështetjes për partinë e djathtë Alternative für Deutschland (AfD).
Lini një Përgjigje