
Liderët botërorë kanë reaguar ashpër lidhur me sulmin me armë të ndodhur në hotelin Washington Hilton gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ishin të pranishëm edhe Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Mes liderëve që kanë reaguar është edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Ajo shpreh solidaritetin e saj të plotë dhe afërsinë më të sinqertë me Presidentin Trump, me Zonjën e Parë Melania, me Zëvendëspresidentin JD Vance dhe me të gjithë të pranishmit për atë që ndodhi gjatë eventit.
Meloni shkruan se asnjë urrejtje politike nuk mund të gjejë vend në demokraci.
“Ne nuk do të lejojmë që fanatizmi të helmojë vendet e debatit dhe informacionit të lirë. Mbrojtja e kulturës së konfrontimit duhet të mbetet një bastion i pakapërcyeshëm kundër çdo devijimi intolerant, për të mbrojtur vlerat që themeluan kombet tona,” thekson ajo.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar pas ngjarjes. Ai është shprehur i tronditur nga ngjarja dhe ka thënë se çdo sulm ndaj institucioneve demokratike dhe lirisë së shtypit duhet të dënohet ashpër.
Starmer ka shtuar se është lehtësim që presidenti Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka reaguar përmes një postimi në “X” lidhur me të shtënat e regjistruara gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Erdogan ka dënuar sulmin teksa shtoi se në demokraci, lufta zhvillohet me ide dhe se nuk ka vend për asnjë formë dhune.
“E dënoj tentativën për sulm të armatosur që ndodhi mbrëmë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Është fat që askush, përfshirë Presidentin Trump dhe gruan e tij Melania, nuk u lëndua.
Në demokraci, lufta zhvillohet me ide; nuk ka vend për asnjë formë dhune. I shpreh urimet e mia më të mira Presidentit Trump, gruas së tij, administratës amerikane dhe popullit amerikan”, shkruan Erdogan.
Ngjarja ndodhi pak pasi kishte nisur aktiviteti, kur një zhurmë e fortë shkaktoi panik në sallë. Të pranishmit u shtrinë në dysheme, ndërsa shërbimet e sigurisë ndërhynë menjëherë dhe evakuuan sallën.
Presidenti dhe Zonja e Parë u larguan nga forcat e sigurisë, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në vend. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vijojnë.
Lini një Përgjigje