TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Korrik 2026, 12:06

Sulmi terrorist në Berlin, reagon Merz; kush është autori i dyshuar

Shkruar nga Pamfleti
Sulmi terrorist në Berlin, reagon Merz; kush është autori i
Sulmi në Berlin

Kancelari gjerman premton hetim të plotë dhe ndëshkim maksimal për autorët. Policia po kërkon të dyshuarin kryesor dhe nuk përjashton përfshirjen e bashkëpunëtorëve.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar me zemërim dhe pikëllim pas sulmit të rëndë të ndodhur gjatë paradës së krenarisë së komunitetit LGBTQ+ në Berlin, duke e cilësuar ngjarjen si një "akt të shëmtuar" dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike të Gjermanisë.

Në një reagim të publikuar në platformën “X”, Merz theksoi se qindra mijëra qytetarë ishin mbledhur për të manifestuar në mënyrë paqësore përpara se të ndodhte sulmi.

"Ata donin që ne ta trajtonim njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë," shkroi Merz.

Kancelari nënvizoi më tej se Gjermania është dhe do të mbetet një vend "i hapur që e do lirinë", duke garantuar se shteti do të mbrojë me çdo kusht këto vlera themelore.

Merz shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të plagosurve, ndërsa siguroi opinionin publik se rasti "do të hetohet dhe do të ndiqet me ashpërsinë më të madhe ligjore".

Ndërkohë, Policia e Berlinit ka identifikuar një të dyshuar për sulmin, Abdul B., dhe ka publikuar fotografinë e tij. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ketë vepruar me bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët vijojnë të jenë në arrati.

Në një njoftim të publikuar nga Policia e Berlinit rreth orës 07:05 të mëngjesit, thuhet se “besohet se një ose më shumë persona ikën nga automjeti” që u përplas me turmën, ndërsa disa persona u plagosën edhe me thikë. Sipas profilit të publikuar nga autoritetet, i dyshuari konsiderohet i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur një furgon u përplas me pjesëmarrësit në aktivitetin e komunitetit LGBTQ+ në Berlin. Si pasojë, një person humbi jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Lini një Përgjigje