
Analisti ushtarak britanik Michael Clarke e ka cilësuar sulmin ajror të Izraelit në Katar si një “hap cilësor” dhe ndryshim rrënjësor në mënyrën se si Tel Avivi po e trajton konfliktin me Hamas. Duke folur për mediat ndërkombëtare, Clarke tha se bëhet fjalë për një “ekzekutim jashtëgjyqësor të udhëheqësve të Hamas në një vend neutral”, të cilin e quajti të vështirë për t’u justifikuar në planin ligjor dhe diplomatik.
Sipas tij, fakti që Izraeli ka zgjedhur të eliminojë drejtues të Hamas pikërisht në Katar, vend ku zhvilloheshin negociatat për armëpushim, është “jashtëzakonisht serioz” dhe hedh poshtë çdo shans për një marrëveshje të afërt. “Kur vret të vetmit njerëz me të cilët je ulur në bisedime, atëherë rezultati nuk është vetëm ushtarak, por edhe thellësisht politik”, tha Clarke.
Ai kujtoi se goditja vjen pas sulmit të armatosur në Jerusalem, për të cilin Hamas mori përgjegjësinë, por theksoi se sulmi në Doha përbën precedent të ri. “Izraeli nuk e kishte bërë kurrë më parë një gjë të tillë në Katar. Kishte një perceptim se aty udhëheqësit e Hamas ishin të sigurt për shkak të rolit të vendit si ndërmjetës”, shtoi eksperti britanik.
Clarke parashikon se pas këtij sulmi, Katari mund të rishikojë qëndrimin e tij ndaj Hamas dhe grupeve të tjera me të cilat ka ruajtur lidhje, gjë për të cilën është kritikuar shpesh nga Perëndimi. “Ky sulm nuk është thjesht një operacion ushtarak, por një goditje diplomatike që ndryshon lojën”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje