Dosjet e reja tregojnë se Jeffrey Epstein nuk ishte thjesht një abuzues seksual, por një nyje lidhëse mes elitave politike, financiare dhe shërbimeve sekrete. Nga kontakte me ish-kryeministra, diplomatë rusë dhe manjatë teknologjie, te përfshirja në projekte destabilizuese për Europën, rrjeti i tij shfaqet si një instrument i errët pushteti dhe ndikimi global.
Nga ish-kryeministra si Ehud Barak i Izraelit dhe Thorbjørn Jagland i Norvegjisë, te diplomatë rusë, manjatë teknologjie si Peter Thiel dhe ideologë të ekstremit të djathtë si Steve Bannon, dosjet e Jeffrey Epstein zbulojnë një univers marrëdhëniesh dhe interesash që shkojnë shumë përtej skandaleve seksuale. Financieri i akuzuar për abuzim me të mitur duket se ishte i përfshirë në rrjete politike, ekonomike dhe gjeostrategjike në shkallë globale.
Email-e me Ehud Barakun dhe bizneset në vendet e Gjirit
Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Izraelit, si edhe një figurë e rëndësishme e inteligjencës izraelite, Ehud Barak, rezulton të ketë qenë një nga kontaktet më të afërta të Epsteinit. Emri i tij shfaqet afro 7 mijë herë në dokumentet e reja të publikuara javën e kaluar. Mes tyre del një korrespondencë intensive, ku diskutohen tema delikate dhe çështje me peshë ndërkombëtare.
Në vitin 2013, Epstein i shkruante Barakut se kishte refuzuar një takim të kërkuar nga Vladimir Putin. Një vit më pas, ai i dërgonte një tjetër mesazh ku përmendte trazirat civile në Ukrainë, Siri, Somali dhe Libi, duke sugjeruar se situata globale ishte “perfekte” për interesat e bashkëbiseduesit të tij. Nuk ka prova për një përgjigje nga Baraku.
Epstein kishte kontakte të nivelit të lartë edhe në vendet e Gjirit. Ai diskutonte për marrëveshje biznesi dhe pretendonte se kishte marrë dhurata drejtpërdrejt nga Mohammed bin Salman. Një email i korrikut 2011 tregon se ai ishte informuar për një plan të detajuar për të siguruar akses në asetet shtetërore të ngrira të Libisë, me mbështetjen e mundshme të ish-zyrtarëve të inteligjencës britanike dhe izraelite.
Ai komentoi gjithashtu vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, duke shkruar se “duket se po ndodh diçka më e madhe”. Në një tjetër episod grotesk, dokumentet sugjerojnë se një nga asistentët e tij trafikonte copa pëlhure nga mbulesa e Qabes në Mekë, vendi më i shenjtë i Islamit.
Nga Kremlini te shërbimet sekrete
“Putini më kërkoi një takim. I thashë jo.” Kështu i shkruante Epstein- Barakut në vitin 2013. Qoftë e vërtetë apo mburrje, mesazhi tregon për lidhje të mundshme të nivelit të lartë në Moskë. Një nga kontaktet e tij më të shpeshta ishte Vitaly Churkin, ambasador i Rusisë në OKB nga viti 2006 deri në vdekjen e tij në 2017.
Epstein e përmend Churkinin edhe në vitin 2018, në një bisedë me ish-kryeministrin norvegjez Jagland, pak para samitit Trump–Putin në Helsinki. Ai sugjeronte se ministri rus i Jashtëm, Sergey Lavrov, mund të kishte informacione të ndjeshme prej tij, të cilat zakonisht ia jepte Churkinit.
Në gusht 2016, në kulmin e fushatës presidenciale në SHBA, Epstein organizoi një drekë në rezidencën e tij në Nju Jork me pjesëmarrjen e Churkinit, Barakut, Peter Thiel dhe Tom Barrack, atëherë këshilltar i Donald Trump dhe sot ambasador i SHBA-së në Turqi.
Një dokument i FBI-së i vitit 2017, i klasifikuar “Sekret”, e përshkruan Epstein si “menaxher financiar të Putinit”. Në një email draft, të shkruar për vete, ai kërcënonte “Kam kontaktuar disa miq në FSB”.
Bannon dhe projekti për Europën euroskeptike
Në vitet para arrestimit të tij në 2019, Epstein kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Steve Bannon, ideologun e së djathtës ekstreme amerikane dhe ish-këshilltar të Trump. Bannon kërkonte të zgjeronte ndikimin e tij politik në Evropë, ndërsa Epstein i jepte këshilla se si të mbështeste rritjen e partive euroskeptike.
“Evropa kërkon kohë, nuk funksionon nga larg”, ishte një nga sugjerimet e tij. Në të njëjtën periudhë, Bannon zhvilloi takime me figura si Matteo Salvini dhe deklaronte se po grumbullonte fonde për Marine Le Pen, Salvini-n, AfD-në, Orbánin dhe Farage-in, me synimin për të bllokuar legjislacionin europian.
Kur Lëvizja e Bannon u zgjerua në vitin 2018, Epstein reagoi me entuziazëm. Pas një parashikimi optimist të Bannon-it për fitore në Parlamentin Europian, Epstein u përgjigj shkurt: “Zoti i mëshiroftë ata”.
Mesazhi për Thiel dhe “kthimi te tribalizmi”
Pas referendumit të Brexit-it në qershor 2016, Epstein i shkroi Peter Thiel-it: “Brexit është vetëm fillimi”. Kur Thiel pyeti se çfarë nënkuptonte, përgjigjja ishte shqetësuese: “Kthim te tribalizmi, kundërshtim i globalizimit, aleanca të reja të papritura”.
Shumë e shohin këtë si një manifest për destabilizim politik dhe ekonomik në shkallë globale, me qëllim fitimin e pushtetit dhe parasë. Dy miliarderë, Epstein dhe Thiel, po diskutonin hapur për këtë. Vetë Epstein ishte ai që e prezantoi Thiel-in me Ehud Barakun dhe organizoi takime me diplomatë rusë.
Një javë më vonë, Thiel njoftoi se do të financonte fushatën e Donald Trump. Dosjet zbulojnë gjithashtu kontakte të vazhdueshme mes Epsteinit dhe Elon Musk. Edhe pse Musk ka mohuar çdo lidhje, në vitin 2012 ai i shkruante financierit: “Kur do ta organizosh festën tënde më të çmendur deri tani?”/ Corriera della Sera
Lini një Përgjigje