TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2026, 20:10

Çipa në trurin e pëllumbave për t’i përdorur si dronë, çfarë fshihet pas programit sekret rus të drejtuar nga vajza e Putinit?

Shkruar nga Pamfleti
Çipa në trurin e pëllumbave për t’i përdorur si
Pëllumbat dronë

Shkencëtarë rusë po zhvillojnë një program neuroteknologjie me emrin e koduar “PJN-1”, në kuadër të të cilit vendosen çipa në trurin e pëllumbave dhe kamera në trupin e tyre, duke i kthyer ata në mjete fluturuese të kontrollueshme nga distanca, të ngjashme me dronët.

Sipas raportimeve, programi ambicioz lidhet me një institut të inteligjencës artificiale që drejtohet nga Katerina Tikhonova, vajza e presidentit rus Vladimir Putin. Mediat The Times dhe The Telegraph shkruajnë se këta “pëllumba-cyborg” mund të përdoren për mbikëqyrje të fshehtë të objektivave ose edhe për operacione ushtarake, në mënyrë të ngjashme me përdorimin aktual të mjeteve ajrore pa pilot.

Teknologjia po zhvillohet nga kompania Neiry Group, një startup me seli në Moskë, e cila pretendon se pëllumbat kanë përparësi ndaj dronëve tradicionalë për shkak të rrezes më të madhe të fluturimit, qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të hyrë në zona të vështira për t’u arritur.

Sipas përshkrimit teknik, elektroda të vogla futen nëpërmjet kafkës së zogjve dhe lidhen me një stimulues të vendosur në kokë, duke u mundësuar operatorëve t’i drejtojnë majtas ose djathtas përmes telekomandës. Një pajisje e vogël me energji diellore, e vendosur si çantë shpine, përmban sistemin e kontrollit të fluturimit dhe lidhet me një kamerë në pjesën e përparme të trupit të zogut.

Çipa në trurin e pëllumbave për t’i përdorur si
Projekti rus

Neiry Group pohon se këta “drone biologjikë” mund të përshkojnë deri në 500 kilometra në ditë dhe të përdoren për monitorimin e infrastrukturës, inspektimin e objekteve industriale, operime në hapësira ajrore të kufizuara, si dhe për misione kërkim-shpëtimi. Megjithëse kompania e përshkruan projektin si mjet për mbikëqyrje civile, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se teknologjia mund të përshtatet lehtësisht për qëllime ushtarake.

Profesori i neuroshkencës në Universitetin Georgetoën dhe këshilltar shkencor i Pentagonit, James Giordano, deklaroi për Bloomberg se, teorikisht, këto “bio-dronë” mund të përdoren edhe për transportimin e agjentëve biologjikë në territor armik.

Drejtori ekzekutiv i Neiry, Alexander Panov, ka deklaruar se teknologjia nuk kufizohet vetëm te pëllumbat. Sipas tij, sistemi mund të përshtatet për lloje të tjera zogjsh, si korbat për ngarkesa më të rënda, pulëbardhat për mbikëqyrje bregdetare apo albatrosët për zona të gjera detare.

Raportimet theksojnë se përdorimi i kafshëve për qëllime ushtarake nuk është i panjohur për Rusinë. Sipas burimeve, Moska ka përdorur edhe delfinë të trajnuar për mbrojtjen e bazave detare në Detin e Zi, si dhe ka eksperimentuar me mjete të tjera jokonvencionale në fushën e luftës.

Shqetësimet për lidhjet e Neiry Group me Kremlinin u rritën pas një hetimi të medias së pavarur T-Invariant, e cila zbuloi se kompania ka përfituar rreth 1 miliard rubla financim, pjesërisht nga burime të lidhura me shtetin rus. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve vjen nga National Technology Initiative, një program i nisur nga Vladimir Putin në vitin 2014 për të forcuar pozicionin e Rusisë në teknologjitë globale.

Sipas pretendimeve, Neiry bashkëpunon me Institutin e Inteligjencës Artificiale në Universitetin Shtetëror të Moskës, i cili drejtohet nga Katerina Tikhonova, duke e bërë këtë projekt edhe më të ndjeshëm nga pikëpamja politike dhe gjeostrategjike.

rusi pellumba drone

Lini një Përgjigje