Një sulm ajror izraelit ka vrarë djalin e kryenegociatorit të Hamasit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për të ardhmen e Gazës, thanë të enjten zyrtarë të Hamasit, ndërsa drejtuesit e grupit po zhvillonin takime në Kajro për ruajtjen e armëpushimit me Izraelin.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe përfaqësuesve të Hamasit, Azzam Al-Hayya, djali i Khalil Al-Hayya, nuk u mbijetoi plagëve të marra nga një sulm izraelit i kryer një natë më parë. Ai ishte djali i katërt i Khalil Al-Hayya që vritet në sulmet izraelite.
Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme e administruar nga Hamasi deklaruan se të paktën tre oficerë policie u vranë dhe disa persona të tjerë, përfshirë një polic, u plagosën pasi një sulm ajror goditi një postë policie në perëndim të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një qendër komande të Hamasit në veri të Rripit të Gazës, duke shtuar se disa militantë u vranë gjatë operacionit. Sipas ushtrisë, personat e shënjestruar po planifikonin dhe kryenin “sulme terroriste” kundër forcave dhe civilëve izraelitë.
Reuters raportoi se Izraeli ka shtuar sulmet ndaj forcave policore të drejtuara nga Hamasi në Gaza, të cilat grupi i përdor për të konsoliduar kontrollin në zonat që administron në Rrip.
Lini një Përgjigje