Ushtria izraelite ka plagosur dy gazetare libaneze, Amal Khalil dhe Zainab Faraj, gjatë një sulmi në qytetin jugor Tayri. Po ashtu sipas mediave shtetërore libaneze pengoi përkohësisht ekipet e emergjencës të ndërhynin.
Sipas NNA-së, një sulm i dytë ajror izraelit në zonën Nabatieh plagosi disa persona të tjerë. Stafi i Kryqit të Kuq Libanez arriti të evakuonte Faraj dhe ta transportonte në një spital në Tebnine, ndërsa përpjekjet për të arritur te Khalil vijonin. Ministria e Shëndetësisë e Libanit konfirmoi se ekipet e shpëtimit hasnin vështirësi për të hyrë në zonë.
Autoritetet libaneze pretendojnë se ushtria izraelite pengoi qasjen e Kryqit të Kuq dhe ushtrisë libaneze në vendngjarje. Nga ana tjetër, ushtria izraelite pranoi se dy gazetarë janë plagosur, por mohoi të ketë bllokuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit dhe deklaroi se rrethanat e incidentit janë në shqyrtim.
Sipas ushtrisë izraelite, forcat e saj identifikuan dy automjete që dolën nga një objekt që dyshohet se përdorej nga Hezbollahu. Ajo shtoi se personat në automjete iu afruan forcave në mënyrë kërcënuese, çka çoi në sulmin ndaj njërit prej automjeteve dhe ndërtesës ku ata u strehuan.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit deklaroi se gazetarët kishin kërkuar strehim në një banesë pas sulmit të parë. Sipas saj, dy persona të tjerë humbën jetën në këto sulme.
Zyrtarë të lartë libanezë, përfshirë presidentin Joseph Aoun, si dhe organizata për lirinë e shtypit, i bënë thirrje Izraelit të lejojë akses të plotë për ekipet humanitare.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve raportoi se Izraeli mban përgjegjësi për rreth dy të tretat e gazetarëve të vrarë në dy vitet e fundit, duke nxitur reagime nga organizatat e të drejtave të njeriut për mbrojtjen e punonjësve të medias në zonat e konfliktit.
Më herët gjatë këtij muaji, ekspertë të Kombeve të Bashkuara kërkuan një hetim të pavarur ndërkombëtar për vrasjen e gazetarëve në Liban, pas një incidenti ku ushtria izraelite vrau tre gazetarë, përfshirë një që punonte për një media të lidhur me Hezbollahun.
Lini një Përgjigje