Bota11 Mars 2023, 16:32

Kanadaja vendos sanksione të reja ndaj Moskës, ndalon importet ruse të aluminit dhe çelikut

Shkruar nga Pamfleti

Kanadaja vendos sanksione të reja ndaj Moskës, ndalon importet ruse

Kanadaja ndaloi të premten importin e të gjitha produkteve ruse të aluminit dhe çelikut, veprim ky që Otava tha se kishte për qëllim që t’ia mohonte Moskës mundësinë për të financuar luftën e saj kundër Ukrainës.

Ukraina mund dhe duhet ta fitojë këtë luftë. Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kufizuar të ardhurat ruse për të financuar pushtimin e paligjshëm të [presidentit rus, Vladimir] Putinit në Ukrainë”, tha në një deklaratë Ministrja e Financave, Chrystia Freeland.

Vitin e kaluar, Rusia ka sanksionuar qindra qytetarë kanadezë, duke përfshirë yllin e Hollywood-it, Jim Carrey, në shenjë hakmarrje të sanksioneve të vendosura nga Otava për Rusinë dhe qytetarët rusë.

Kanadaja ka vënë sanksione ndaj dhjetëra individëve rusë, duke përfshirë oligarkë dhe zyrtarë të afërt me Kremlinin dhe Ministrinë e Jashtme ruse, si dhe me disa kompani ruse, për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar trupat ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt 2022, shumë shtete perëndimore, përfshirë Kanadanë, kanë vënë sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Këto masa përfshijnë përjashtimin e shumë bankave ruse nga sistemi SWIFT, embargo në eksportet ruse, kufizime në investime, ngrirje të aseteve për zyrtarët qeveritarë dhe familjarët e tyre, si dhe ndalesa në udhëtim për shumë zyrtarë të lartë rusë./REL

kanada sanksione rusisë