
Katari ka reaguar ashpër ndaj sulmit me dron që goditi një gjenerator energjie pranë centralit bërthamor Barakah në Emiratet e Bashkuara Arabe, incident që shkaktoi edhe shpërthim zjarri.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social “X”, Ministria e Jashtme e Katarit e cilësoi sulmin si një “shkelje të hapur të normave ndërkombëtare dhe një rrezik serioz për sigurinë dhe stabilitetin në rajon".
Autoritetet në Doha theksuan se sulme të tilla ndaj infrastrukturës kritike dhe objekteve civile përbëjnë një përshkallëzim të papranueshëm dhe paralajmëruan se janë kaluar “vijat e kuqe” të sigurisë rajonale.
Centrali bërthamor Barakah, i vendosur në Abu Dhabi, është centrali i parë bërthamor në botën arabe dhe furnizon një pjesë të konsiderueshme të nevojave energjetike të Emirateve të Bashkuara Arabe. Për këtë arsye, çdo incident që lidhet me sigurinë e tij shihet me shqetësim të madh nga vendet e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar.
Deri tani nuk është marrë përsipër përgjegjësia për sulmin, ndërsa autoritetet po hetojnë mënyrën se si droni arriti të godiste zonën pranë impiantit.
Lini një Përgjigje