TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2026, 08:30

Kina frikë nga Trump për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, loja e Xi për të shmangur humbjen e Ajatollahëve

Shkruar nga Federico Fubini

Pesëdhjetë e dy përqind e importeve të naftës së Kinës në vitin 2025 erdhën nga Gjiri. Elitat e Pekinit kanë frikë se nëse konflikti përfundon me një qeveri iraniane miqësore me SHBA-në, Uashingtoni do të ketë kontroll indirekt mbi Ngushticën e Hormuzit.

Kina frikë nga Trump për kontrollin e Ngushticës së
Xi Jinping

Të martën Irani zgjodhi një kanal të veçantë për të dërguar një mesazh politik: Pekinin. Abdolreza Rahmani Fazli, ambasadori i Teheranit në Kinë, shpjegoi publikisht qëndrimin e vendit të tij.

“Si garantues të sigurisë së Ngushticës së Hormuzit, ne i japim rëndësi të madhe kalimit të sigurt të anijeve të të gjitha vendeve”, deklaroi diplomati.

“Por nëse siguria e përgjithshme e kalimit dhe e zonës përreth nuk mund të garantohet, atëherë ne nuk mund të garantojmë sigurinë e transitit nëpër Hormuz.”

Këto deklarata mund të mbeten një nga eufemizmat më të dukshëm të asaj që shumë analistë e quajnë tashmë lufta e tretë e Gjirit. Vetëm disa orë më vonë, forcat iraniane hapën zjarr ndaj tre anijeve të mëdha transporti dhe kontejnerëve me flamur të Tajlandës dhe vendeve të tjera që nuk janë pjesë e konfliktit. Marina amerikane ndërhyri për të neutralizuar aktivitetin e gjashtëmbëdhjetë anijeve iraniane të dyshuara për vendosjen e minave detare.

Megjithatë deklarata e ambasadorit iranian në Pekin ishte peshuar me kujdes.

“Trafiku do të rregullohet”, tha Fazli. “Por kjo nuk do të thotë mbyllje e ngushticës.”

Në praktikë kjo bie në kundërshtim me zhvillimet në terren. Irani ka marrë në kontroll de facto rrjedhat e naftës, plehrave kimike, aluminit dhe heliumit që dalin nga Gjiri Persik dhe që ndikojnë në balancat e çmimeve të ekonomisë globale.

Rëndësi ka jo vetëm mesazhi, por edhe vendi nga ku u dha. Duke folur nga Pekini, regjimi iranian duket se përpiqet të diktojë kushtet dhe të sugjerojë se një rihapje “e rregulluar” e ngushticës mund të ndodhë nëse ndalen sulmet izraelito amerikane. Një deklaratë e tillë nga kryeqyteti kinez synon gjithashtu të qetësojë fuqinë e madhe partnere dhe ta përfshijë atë si një lloj arbitri të mundshëm për ekuilibrat pas luftës në Hormuz dhe në Gjirin Persik.

Ky është një veprim i një regjimi që mund të jetë nën presion, por që llogarit edhe kufijtë e tolerancës së administratës Trump. Llogaritja në Teheran është se ekziston një pikë përtej së cilës Shtëpia e Bardhë nuk mund të përballojë destabilizimin e tregjeve dhe rritjen e çmimeve në Shtetet e Bashkuara. Mbajtja e mbyllur e Hormuzit synon pikërisht ta afrojë atë pikë.

Nga ana tjetër, edhe Kina kishte nevojë për garanci nga Irani. Vitin e kaluar rreth 52 për qind e naftës që Pekini importoi erdhi nga Gjiri Persik. Qeveria dhe analistët kinezë përpiqen të minimizojnë ndikimin e luftës, por gjatë këtyre dymbëdhjetë ditëve vendi ka humbur më shumë se gjysmën e furnizimeve të zakonshme.

Sot furnizuesi kryesor i naftës për Kinën është Rusia. Arabia Saudite renditet e dyta, ndërsa Irani ishte furnizuesi i tretë, edhe pse për shkak të sanksioneve ndërkombëtare nafta iraniane regjistrohet zyrtarisht në dogana si e nxjerrë në Malajzi.

Qeveria kineze duket se kishte parashikuar mundësinë e një përshkallëzimi. Në dy muajt e parë të vitit 2026, Kina rriti importet e naftës me 15.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Sot rezervat strategjike të Republikës Popullore janë më të mëdha se rezervat e kombinuara të tridhjetë e dy ekonomive më të avancuara në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës.

Megjithatë elitat kineze kanë arsye serioze për shqetësim. Nëse lufta përfundon me ngritjen në pushtet të një qeverie iraniane të afërt me Uashingtonin, Shtetet e Bashkuara do të fitonin një kontroll indirekt mbi Ngushticën e Hormuzit. Për Pekinin kjo do të krijonte një dobësi strategjike, sepse Uashingtoni do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë mbi furnizimet energjetike të Kinës. Një situatë e tillë do të ishte veçanërisht problematike në rast se Kina do të tentonte në të ardhmen një aneksim ushtarak të Tajvanit.

Për këtë arsye presidenti Xi Jinping po përpiqet të mbështesë Teheranin pa u ekspozuar drejtpërdrejt. Sipas disa raportimeve, Kina ka dërguar një anije zbulimi që ndihmon Iranin në mbledhjen e informacionit. Po ashtu, ajo ofron mbështetje në navigimin satelitor përmes sistemit BeiDou 3 për dronët iranianë dhe sisteme radarësh që mund të ndjekin fluturimet e fshehta të avionëve amerikanë.

Xi Jinping ka deklaruar shpesh se “Lindja është në ngritje dhe Perëndimi në rënie”. Megjithatë disa këshilltarë politikë në Pekin, përfshirë analistin Zheng Yongnian, pranojnë se zhvillimet e fundit dhe kapacitetet aktuale ushtarake të Shteteve të Bashkuara i bëjnë këto parashikime më pak të sigurta.

Lufta aktuale mund të jetë një provë për këtë tezë strategjike. Megjithatë për një gjë Xi Jinping nuk ka dyshime: ai dëshiron të mbajë takimin e planifikuar më 31 mars me Donald Trump në Pekin. Sa më pak besim të ketë ndaj presidentit amerikan, aq më shumë duket se është i interesuar ta dëgjojë atë drejtpërdrejt./ Corriere della Sera

Lini një Përgjigje