TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Janar 2026, 12:30

Kostoja e lartë e diplomatëve amatorë të Trumpit

Shkruar nga Jan-Werner Mueller
Kostoja e lartë e diplomatëve amatorë të Trumpit
Witkoff dhe Kushner

Duke anashkaluar diplomatët profesionistë në favor të amatorëve që supozohet se sjellin “mendësi të re” në konfliktet më të pazgjidhshme të botës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump po rikthen një traditë të kahershme amerikane të anti-intelektualizmit. Në mënyrë të pashmangshme, kjo do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara më të varfra, më të dobëta dhe më të manovrueshme nga kundërshtarët…

Shumë nga elementët e takimit të fundit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski me Donald Trumpin në Mar-a-Lago ishin shqetësuese, për mos thënë dekurajuese. Së pari, asnjë zyrtar amerikan nuk e priti kreun e shtetit ukrainas pas mbërritjes së tij në Majami, gjë që qëndron në kontrast të plotë me pompozitetin dhe ceremonitë e shkëlqyera që iu rezervuan presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë gushtin e vitit të kaluar.

Por edhe më shqetësuese ishte mungesa e plotë e diplomatëve të trajnuar dhe me përvojë në anën amerikane të tryezës së bisedimeve. Në vend të tyre ishin shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Suzi Ualjs, dhe zëvendësi i saj, Sti Uitkof – një sipërmarrës pasurish të paluajtshme me lidhje të vjetra me Rusinë – si dhe dhëndri i presidentit Trump, Xhared Kashner.

Në morinë e shumë dëmeve që ka shkaktuar Trump në vitin e parë të mandatit të tij të dytë, shkatërrimi i kapaciteteve diplomatike të Amerikës ka marrë relativisht pak vëmendje. Por krahas dëmtimit të sistemit shëndetësor në SHBA dhe braktisjes së pamenduar të energjisë së pastër, ky mund të jetë dëmi me pasojat më të rënda.

Natyrisht, presidentët e SHBA-së kanë të drejtë të emërojnë ambasadorë sipas pëlqimit të tyre, dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur donatorë bujarë në fushatat e tyre. Por këto emërime bëhen gjithmonë në kryeqytete më pak të rëndësishme, ku të emëruarit mbase mund t’ia hedhin pa u lagur pavarësisht mungesës qesharake të njohurive mbi detyrën (diçka që senatori Xhon Mekein e ekspozoi në mënyrë të paharrueshme gjatë presidencës së Barak Obamës).

Mirëpo, siç ndodh shpesh, sjellja e Trump bën pjesë në një kategori më vete. Nepotizmi i shfaqur gjatë presidencës së tij të dytë është i pacipë. Kështu, ai emëroi babanë e Kashnerit, një kriminel i dënuar me burg, si ambasador në Francë; dhe ish-të dashurën e djalit të tij si ambasadore në Greqi (qytetarët e së cilës ajo dikur i kishte përqeshur si “qylaxhinj”).

Pastaj vjen caktimi i figurave krejtësisht të pakualifikuara për të ndjekur misione që nuk janë vetëm delikate, por haptazi fyese. Përpjekja e Trump-it për të “blerë” Grenlandën, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, po udhëhiqet nga guvernatori i Luizianës, duke shtuar fyerjet ndaj një aleati të NATO-s.

Postet e tjera të rëndësishme kanë mbetur vakante, është përgjysmuar stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe mungesa e dukshme e përgatitjes për “të nesërmen” pas kapjes së presidentit venezuelian Nikolas Maduro, tregon mungesën e një procesi konsultativ, koordinim të dobët dhe mungesë të personelit të kualifikuar.

Gjymtimi i kapacitetit diplomatik të SHBA-së është pjesërisht rezultat i një përpjekjeje të gabuar për efikasitet (duke përsëritur përpjekjen e dështuar të sekretarit të shtetit në mandatin e parë të Trump-it, ish-drejtuesit fatkeq të Exxon, Reks Tilerson). Por është gjithashtu pasojë e një pakujdesie të pastër, e cila ka sjellë mungesë koordinimi dhe një kaos që të kujton administratën e parë Trump.

Sigurisht, kjo nuk u ka shpëtuar kundërshtarëve të SHBA-së. Ata po përfitojnë nga situata, madje disa po përcaktojnë de facto përbërjen e ekipeve diplomatike amerikane. Siç tregoi një investigim i Wall Street Journal, administrata Trump ka lejuar që i dërguari i saj special për Ukrainën dhe Rusinë të anashkalohet plotësisht në favor të Uitkof. (Për më tepër, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, i etur për të pohuar një rol më të madh ndërkombëtar për mbretërinë, duket se ka luajtur një rol instrumental në orkestrimin e rezultatit të preferuar nga Putini.)

Në teori, mbështetja te fytyrat e reja dhe tek një qasje joortodokse mund të ishte e mbrojtshme. Ata që nuk janë peng i skemave tradicionale, mund të jenë në gjendje të gjejnë kompromise duke menduar “jashtë kornizave”. Vetë Trump beson se të mos dish asgjë për një konflikt, është mënyra më e lehtë për ta zgjidhur atë. Por kjo strategji e tipit “injoranca është pushtet”, nuk ka dhënë ende rezultate të qëndrueshme.

Çdo shpresë se vetë SHBA-ja do të nxirrte përfitime duke u bërë më e paparashikueshme është shuar, dhe kjo edhe sepse Trump dhe besnikët që ai dërgon nëpër botë janë krejtësisht të parashikueshëm. Ata kanë deklaruar hapur dëshirën për të bërë “pazare” për përfitime financiare, gjë që nënkupton se nuk janë më në krye të prioriteteve shqetësimet gjeopolitike apo strategjike.

Duke filluar me “pezullimin” e zbatimit të Ligjit për Praktikat Korruptive Jashtë Vendit (FCPA), administrata Trump ka sinjalizuar se SHBA-ja jo vetëm që është e hapur për biznes, por është e lumtur që të pranojë edhe ryshfete. Nga kjo perspektivë, rruga drejt paqes së qëndrueshme është e shtruar me mundësi biznesi reciprokisht të dobishme.

Ndonëse gjoja të përkushtuar ndaj “iliberalizmit”, Trumpistët në fakt shfaqin një besim naiv dhe kanonikisht liberal në atë që mendimtarët e shekullit XVIII e quanin doux commerce (tregtia e butë). Por siç e mësoi shumë ashpër Gjermania, kur u mbështet te lidhjet tregtare për të transformuar Rusinë për mirë, përfitimet e supozuara të ndërvarësisë nuk do të materializohen nëse njëra palë ka prioritete të tjera.

Lufta ndaj diplomatëve është pjesë e një fushate të gjatë kundër profesionalizmit. Ndërsa lëvizja MAGA e Trump-it nxit pakënaqësi kundër “elitës”, jo çdo i pushtetshëm përfshihet në këtë etiketë. Mbështetësit e MAGA-s nuk kanë asnjë problem me miliarderët që dominojnë kabinetin e Trump.

Problemi i tyre është vetëm me ata që pretendojnë autoritet mbi bazën e trajnimit dhe arsimimit të specializuar. Pra sipas tyre burokratët e paemëruar janë të këqij; ndërsa zhvilluesit e pasurive të paluajtshme të paemëruar janë të mirë.

Duke krijuar përshtypjen se profesionistët i shohin me përbuzje njerëzit e thjeshtë dhe dështojnë të shohin zgjidhje që kushdo me sens të shëndoshë mund t’i kuptonte, MAGA po kthehet tek tradita e kahershme amerikane e anti-intelektualizmit.

Në këtë proces, Trump po i bën Shtetet e Bashkuara më të varfra, më të dobëta dhe më të manovrueshme në skenën botërore. Edhe pse mund të gjenden arsye për të kritikuar “rendin ndërkombëtar liberal” aq shumë të lavdëruar, ai të paktën e pranonte se ekziston një kërkesë reale globale për rregulla të përbashkëta dhe stabilitet.

I angazhuar tashmë në një projekt haptazi neo-imperialist në Venezuelë, Trump i ka dhënë Kinës një mundësi të artë për ta portretizuar veten si garantuese të këtij stabiliteti. Po ashtu, Kina mund të prezantohet si ofruese e llojit të ekspertizës që Trump e ka shkatërruar në mënyrë të pamenduar (edhe nëse fuqia e saj e butë nuk është as afër asaj të SHBA-së). Ashtu si me shumë shenja të tjera dalluese të “Trump 2.0”, gjymtimi i diplomacisë amerikane do t’i bëjë historianët e ardhshëm të pyesin pse SHBA-ja vendosi të flakë kaq shumë gjëra, kaq shpejt dhe kaq pa kuptim./ Përshtati "Pamfleti" Nga "Project Syndicate”

Shënim: Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin e Prinstonit, SHBA.

diplomatet amatore te trump politika e jashtme amerikane

1 Komente

  1. T
    Tony

    This situation is dedicated to the ignorant American people who elected what deserved. This cruelty and stupidity will cost planet not millions but billions people's life. USA was the hope of freedom and democracy for world's people but now is the most hated. Nazism - Fascism is reborn now after 100 years. It shows and the style of haircut.

    Lini një Përgjigje