Vdekja e Hadit ka çuar në protesta, ndjenja anti-indiane dhe sulme ndaj gazetave që shihen si pro-indiane në Bangladesh.
Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në disa qytete të Bangladeshit pas vdekjes së Sharif Osman Hadi, një nga figurat më të njohura të rinisë opozitare në vend, i cili ndërroi jetë të enjten në Spitalin Qendror të Singaporit, për shkak të plagëve të marra nga një atentat me armë zjarri në Daka.
Hadi, 32 vjeç, ishte zëdhënës i lëvizjes Inqilab Mancha (“Platforma për Revolucion”) dhe një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjes studentore të vitit 2024. Ai pritej të kandidonte për deputet në zonën e Dhaka-8 në zgjedhjet e planifikuara për shkurtin e vitit 2026.
I njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj ndikimit indian në politikën e Bangladeshit, Hadi kishte qenë një kritik i hapur i Indisë dhe i ish-kryeministres Sheikh Hasina, e cila është larguar nga vendi dhe ndodhet në mërgim në Indi që prej rrëzimit të saj nga pushteti.
Sipas autoriteteve të Singaporit dhe vetë lëvizjes Inqilab Mancha, Hadi u qëllua më 12 dhjetor nga dy persona me motoçikletë, teksa ndodhej në një tuk-tuk elektrik në Daka. Ai u qëllua në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin universitar të kryeqytetit, ku më pas u transferua në Singapor për trajtim intensiv neurologjik më 15 dhjetor. Ai ndërroi jetë më 21 dhjetor.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Singaporit njoftoi: “Pavarësisht përpjekjeve maksimale të mjekëve, Hadi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.” Ndërkohë, Inqilab Mancha e shpalli Hadi-n “dëshmor të revolucionit kundër hegjemoniisë indiane”.
Të premten, mbështetësit e tij u mblodhën në lagjen Shahbag të Dakës për të pritur kthimin e trupit, i cili pritej të mbërrinte në mbrëmje. Ceremonia në xhaminë qendrore të Universitetit të Dakës është planifikuar për të shtunën, me kërkesë të familjes.
Për atentatin, autoritetet e sigurisë në Bangladesh, përfshirë njësinë kundër-terrorizmit RAB, kanë nisur një operacion të gjerë. Janë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë që tregojnë dy persona me veshje të zeza dhe syze, njëri me bluzë me kapuç dhe tjetri me këmishë të zezë. Policia ofroi një shpërblim prej 5 milionë taka (rreth 42 mijë dollarë) për informacione që çojnë në arrestimin e tyre. Deri tani janë arrestuar të paktën 20 persona, ndërsa hetimet vijojnë.
Kryeministri i përkohshëm i Bangladeshit, Muhammad Yunus, shprehu ngushëllimet dhe e cilësoi vdekjen e Hadi-t si “një humbje të parikuperueshme për kombin”. Ai theksoi se “rruga e Bangladeshit drejt demokracisë nuk mund të ndalet nga frika, terrori apo gjakderdhja.”
Qeveria shpalli lutje të posaçme në të gjitha xhamitë të premten dhe një ditë zie gjysmë-ditore të shtunën. Ndërkohë, edhe kryetari në detyrë i Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP), Tareq Rahman, reagoi përmes një postimi në Facebook duke thënë: “Jemi thellësisht të tronditur nga vdekja e Sharif Osman Hadi, zëdhënës i Inqilab Mancha dhe kandidat i pavarur në Dhaka-8.” /Përshtati “Pamfleti” nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje