TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Korrik 2026, 22:31

Kush po lobon në Shtetet e Bashkuara nga Serbia dhe pse?

Shkruar nga Pamfleti
Kush po lobon në Shtetet e Bashkuara nga Serbia dhe pse?
Kush po lobon në Shtetet e Bashkuara nga Serbia dhe pse?

Gjashtë kontrata aktive dhe miliona dollarë për promovim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Qeveria serbe i ka lidhur tri kontrata me firma amerikane për lobim, Dhoma e Tregtisë e ka një dhe dy kontrata janë me kompani private serbe që kanë marrë kontrata fitimprurëse infrastrukturore nga shteti në të kaluarën.

Kjo sipas të dhënave nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për "agjentët e huaj", të cilat u analizuan nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Lobimi në SHBA nuk është i paligjshëm, por kompanitë dhe individët që përfaqësojnë interesa të huaja duhet ta raportojnë atë.

Është FARA - Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj – që i detyron ata ta bëjnë këtë.

Baza e të dhënave është e disponueshme publikisht dhe tregon se kush i punësoi lobistët amerikanë, kur dhe për çfarë çmimi.

Kështu, dokumentet tregojnë se Qeveria serbe ndan dhjetëra mijëra dollarë nga buxheti çdo muaj për të promovuar Serbinë në Uashington - përmes fushatave mediatike, por edhe takimeve me zyrtarë amerikanë.

Ligjet serbe nuk e pengojnë shtetin të lobojë jashtë vendit për të arritur interesat e veta.

Për çfarë po lobojnë autoritetet serbe në Uashington?

Qeveria serbe ka tri kontrata aktive lobimi në SHBA, me tri firma të ndryshme - "KARV Communications" nga Nju Jorku, "Valcour LLC" nga Uashingtoni dhe "CRB Global LLC" nga Arlingtoni, Virxhinia.

Asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me punën për Qeverinë serbe.

As Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

“Mund të shihet se lobimi i Beogradit po intensifikohet, jo vetëm nëpërmjet faktit se ekzistojnë tri marrëveshje, por edhe se kohët e fundit është nisur një dialog strategjik me SHBA-në, kështu që përshtypja është se politika më proaktive e Beogradit ndaj Uashingtonit është intensifikuar”, tha për Radion Evropa e Lirë Mijat Kostiq nga iniciativa joqeveritare “Rruga e Re e Tretë”.

“Kontratat me grupet e lobimit tregojnë gjithashtu se qëllimet e Beogradit janë bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, industrisë së mbrojtjes dhe energjisë”, shtoi ai.

Baza amerikane ofron gjithashtu informacion mbi disa nga aktivitetet e firmave lobuese.

“Bisedime për sanksione”

Kompania “CRB Global LLC” ka pasur një kontratë njëvjeçare “konsulence strategjike” me Qeverinë në Beograd që nga shkurti i vitit 2026.

Qëllimi i firmës është të "drejtojë marrëdhënien e klientit me Qeverinë federale të SHBA-së, si dhe aspiratat e klientit për bashkëpunim afatgjatë" me Uashingtonin.

Beogradi zyrtar u paguan atyre dhjetë mijë dollarë në muaj për shërbimet e tyre.

“CRB Global LLC”, siç shihet në dokumente, është përgjegjëse për përmirësimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Uashingtonit dhe forcimin e lidhjeve ekonomike, eksplorimin e mundësive për bashkëpunim shtesë ushtarak dhe teknik, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis SHBA-së, Izraelit dhe Serbisë.

Dhe, në bazën e të dhënave amerikane, aktivitetet e vetme të kësaj kompanie në emër të Qeverisë serbe deri më tani janë takimet virtuale gjatë viteve 2025 dhe 2026 me Bankën Amerikane të Eksport-Importit (EXIM), për të diskutuar "çështjen e sanksioneve".

Nuk specifikohet se për çfarë lloj sanksionesh bëhet fjalë.

Por, dihet se më herët në vitin 2025, Serbia punësoi një grup tjetër lobimi, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Uashingtoni në sektorin e energjisë - përkatësisht, Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

NIS ka qenë nën sanksione të SHBA-së që nga janari i vitit 2025, për shkak të pronësisë së saj me shumicë ruse. Qëllimi i Uashingtonit ishte ta parandalonte Moskën nga përdorimi i të ardhurave nga energjia për të financuar luftën në Ukrainë.

Në fund të vitit 2025, u arrit marrëveshje për t’ia shitur aksionet e Rusisë në NIS grupit hungarez MOL, dhe transaksioni duhet të miratohet edhe nga Uashingtoni.

Beogradi bën fushatë kundër rezolutës së Srebrenicës
Kontrata me kompaninë “KARV Communications” parashikon “mbështetje për Qeverinë e Serbisë në fushën e komunikimeve strategjike dhe marrëdhënieve me median”.

Kontrata njëvjeçare, e nënshkruar në vitin 2023, tregon se shërbimet e “KARV Communication” i kushtojnë Qeverisë serbe rreth 60.000 dollarë në muaj.

Bashkëpunimi ende po vazhdon, por nuk dihet nëse është ende me çmim e njëjtë.

“Shërbimet specifike do të përfshijnë, ndër të tjera, komunikimin me median dhe grupet përkatëse me seli në SHBA, për të prezantuar dhe shpjeguar iniciativat politike të Serbisë”, thuhet në dokumente.

Firma amerikane do të jetë përgjegjëse për hartimin dhe dërgimin e fjalimeve dhe njoftimeve, sipas të dhënave.

"KARV" gjithashtu renditi disa nga aktivitetet e kryera në emër të Qeverisë serbe në regjistrin amerikan.

Ndër të tjera, në fund të vitit 2024, ai u ofroi mediave amerikane një intervistë me ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq, si dhe deklaratën e tij dhe të Vuçiqit duke mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc në Kosovë.

Kosova e ka fajësuar Beogradin për shpërthimin, i cili dëmtoi seriozisht furnizimin me ujë dhe infrastrukturën energjetike të Kosovës.

“KARV”, siç mund të shihet, ishte ngarkuar edhe me detyrën e përcjelljes në mediat amerikane të qëndrimit të zyrtarëve serbë që kundërshtuan Rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në korrik 2024.

Qindra mijëra dollarë për promovimin e EXPO-s

Qeveria serbe nënshkroi një kontratë njëvjeçare me kompaninë "Valcour LLC" në nëntor 2024.

Të dyja palët ranë dakord që shërbimet e kompanisë amerikane do të paguheshin 65.000 dollarë në muaj - ose 780.000 dollarë në vit.

Kontrata u zgjat deri në nëntor 2026 pas skadimit të saj, por nuk specifikohet se sa po paguan tani Qeveria serbe për shërbimet në SHBA.

“Valcour” është përgjegjëse për shërbimet e konsulencës në komunikim dhe marrëdhënie me publikun, si dhe detyra të tjera që lidhen me promovimin e Serbisë si nikoqire e EXPO 2027.

Ndërsa Qeveria, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e përshkruan EXPO-n si një "projekt historik dhe një simbol të së ardhmes". Disa në publik po e akuzojnë projektin për korrupsion dhe mungesë transparence.

Disa parti opozitare dhe aktivistë joqeveritarë kërkuan që organizatorët ndërkombëtarë të rishqyrtojnë mbajtjen e EXPO-s në Serbi.

Siç mund të shihet në bazën e të dhënave amerikane, kompania “Valcour”, përveç prezantimit mediatik të Serbisë, ishte përgjegjëse edhe për vendosjen e kontakteve midis zyrtarëve serbë dhe amerikanë.

Ndër temat e diskutimit, përveç marrëdhënieve midis dy vendeve, spikat edhe energjia.

Kush tjetër po lobon për Serbinë në Uashington?

Kompania private serbe "Maneks" nga Novi Sadi investon gjithashtu më shumë se një milion dollarë në vit në lobim në Uashington, sipas regjistrit amerikan FARA.

Ajo zgjodhi kompaninë amerikane "CRB Global LLC" si partnere të saj në këtë biznes.

Dhe qëllimet e shpallura të këtij lobimi përkojnë me ato të Qeverisë serbe në kontratën e saj me të njëjtën kompani.

Ndërsa qëllimet e lobimit janë të njëjta, ndryshimi, siç tregojnë dokumentet në regjistrin amerikan, është vetëm në shumën e ndarë nga "Maneks" dhe Qeveria.

Ndërsa "Manex" u jep lobistëve amerikanë 90.000 dollarë në muaj për "konsulencë strategjike", shteti ndan nëntë herë më pak.

Por, Qeveria dhe as "Maneks" nuk u përgjigjen pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si e zgjodhën të njëjtën kompani për të përfaqësuar interesat e tyre në SHBA, as pse interesat e tyre përkojnë.

Gjithashtu nuk dihet pse "Maneks" vendosi të angazhohej në lobim në SHBA. /REL

shba lobime

1 Komente

  1. A
    Argjita

    O Pamflet i dashur, nuk ka mundesi, sepse kur nje individ : Sali CARI, si person fizik, i paguan LATIFIT, 6.Milion, (por ne te vertete jane minimum 8.Milion $ ) dhe shteti Serb per gjithe kompanite e lobimit, paguan rreth 1.Mio ne vit, eshte diçka qe nuk shkon. Sali Qelbesires, vertet ju hoq Non Grada, sepse ka kerkuar ta varrosin ne kembet e statujes se Lirise se Saliut, por duhet ti kerkoni falje sepse deri tani, Sala( per koincidence keshtu quhet Gomari im), ka paguar vetem 5.500.000.$, dhe te tjerat ne fund te vitit.

    Lini një Përgjigje