
I dërguari i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka rrëzuar nismën “Ballkani i Hapur”. Ai thekson se kjo iniciativë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ndërtohet mbi vlerat evropiane.
Në një intervistë për mediat kroate, Lajçak ka deklaruar se gjithçka që vjen nga rajoni i Ballkanit për vendet përkatëse është diçka e mirë, por nuk duhet të përjashtojë askënd nga procesi duke iu referuar kështu shteteve që nuk janë bërë pjesë.
Deri më tani shtetet pjesëmarrëse janë vetëm 3, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia. Ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina nuk kanë pranuar t’i bashkohen.
Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”. Ndërkohë, Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave kanë deklaruar se do të mbeten spektatore.
“Është e rëndësishme që të jetë gjithëpërfshirëse, të mos përjashtojë askënd nga procesi dhe të çojë para integrimin drejt BE-së, të ndërtohet mbi vlerat evropiane”, deklaroi Lajçak.
Lajçak ka folur gjithashtu në lidhje me situatën në Ballkan, ku nënvizoi se nuk është realiste të ulen kriteret për pranimin e Bosnje dhe Hercegovinës në BE. Më tej ai shtoi se anëtarësimi nuk është vetëm një vendim politik, por edhe një vendim i bazuar në standarde të caktuara.
“Unë e shoh një zgjidhje në atë që BiH dhe vendet e tjera që aspirojnë anëtarësimin janë gjithnjë e më të pranishme në BE, megjithëse nuk do të merrnin pjesë në vendimmarrje. Ata janë të pranishëm në diskutime dhe se të gjithë janë mësuar me praninë e tyre, tregu i përbashkët i BE-së është hapur”, përfundoi Lajçak.