
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan u takua sot me një delegacion të përbërë nga drejtuesit e institucioneve anti-korrupsion të Ukrainës, përfshirë drejtorin e Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit, Semen Kryvonos, Prokurorin e Posaçëm Kundër Korrupsionit, Oleksandr Klymenko, si dhe Kryetaren e Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit, Vira Mykhailenko, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Zyrtarët diskutuan për progresin që ka bërë Ukraina në luftën kundër përfitimeve të paligjshme dhe për ruajtjen e autonomisë së institucioneve jetike qeveritare.
Zoti Sullivan theksoi rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe të paanshme të zbatimit të ligjit dhe të gjyqësorit për shoqëritë demokratike. Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit për reformat anti-korrupsion në Ukrainë, si dhe për "mbrojtjen e guximshme nga Ukraina të demokracisë së saj, përballë agresionit të Rusisë".
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet të marrë pjesë në takimin e përvitshëm këtë muaj në Nju Jork të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, u tha gazetarëve të premten Ferit Hoxha, ambasadori në OKB i Shqipërisë, që mban presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin shtator. Udhëheqësit botërorë do të fillojnë të mblidhen në Nju Jork më 18 shtator. Takimi i Këshillit të Sigurimit për Ukrainën do të mbahet më 20 shtator.
Presidenti rus Vladimir Putin do të presë homologun turk Rexhep Tajip Erdogan për bisedime të hënën, njoftoi Kremlini të premten, më shumë se gjashtë javë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe OKB-ja që lejonte eksportin e grurin ukrainas në mënyrë të sigurt drejt tregjeve botërore, pavarësisht luftimeve 18 mujore./VOA
Lini një Përgjigje