
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se lufta me Iranin do të përfundojë “shumë shpejt”. Ai theksoi se ka mbetur pak për t’u shënjestruar dhe se vendimi final për t’i dhënë fund konfliktit do të jetë plotësisht i tij. Trump shtoi se operacioni ushtarak po zhvillohet në mënyrë të shkëlqyer dhe se SHBA-të janë shumë përpara afatit të parashikuar.
“Pak kjo e ajo… Sa herë që dua të mbarojë, do të mbarojë. Lufta po shkon shkëlqyeshëm. Jemi shumë përpara afatit. Kemi shkaktuar më shumë dëme sesa mendonim të ishte e mundur, madje edhe në periudhën fillestare gjashtëjavore”, tha Trump në një intervistë të shkurtër telefonike për median Axios.
Sipas raportimeve të fundit, Trump ka përsëritur se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, por nuk ka dhënë një afat të saktë, duke sqaruar se nuk do të ndodhë brenda kësaj jave.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse Irani rifillon veprimet armiqësore ose përpiqet të bllokojë ngushticën e Hormuzit, sulmet do të intensifikohen “20 herë më fort”. Ndërkohë, zyrtarë iranianë kanë reaguar duke thënë se ata, jo SHBA-të, do të vendosin kur dhe si do të përfundojë konflikti.
Tregjet globale të naftës kanë reaguar me luhatje të mëdha çmimesh, ndërsa administrata Trump ka kërkuar nga Izraeli të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, me qëllim ruajtjen e mundësive për bashkëpunim të ardhshëm në sektorin e naftës pas përfundimit të luftës.
Lini një Përgjigje