TAGS-AT E JAVËS

Kulture27 Korrik 2026, 20:22

Odisea i Christofer Nolan, një kryevepër që tejkalon Homerin!

Shkruar nga Pamfleti

 “Odisea” e Christopher Nolanit, fundi i qytetërimit të luftës dhe udhëtimi drejt diellit që nuk perëndon

Odisea i Christofer Nolan, një kryevepër që tejkalon Homerin!

Nolan shkon përtej aventurës homerike dhe sjell një film për njeriun, pushtetin, lidershipin dhe pasojat e luftës. Odiseu i tij braktis fronin, ndërsa Penelopa zgjedh jetën përballë lavdisë dhe miteve të rreme.

Christopher Nolan, i cili jo pa arsye konsiderohet kryeregjizori i shekullit XXI, bëri zhurmë me “The Odyssey” shumë kohë përpara se filmi të shfaqej në kinema.

Përtej lojës së marketingut, tashmë normale në industrinë kinematografike, vetë rikthimi në ekran i dramës së sjellë shumë herë nga autorë të ndryshëm shkaktoi një furtunë polemikash, që prej gati një muaji ka pushtuar rrjetin.

Polemikat nisën nga teoritë e konspiracionit dhe arritën deri te pakënaqësitë e puritanëve të Homerit. Këta të fundit nuk mungojnë as mes gjithologëve tanë turbofolk.

Megjithatë, përtej debateve që kanë rritur interesin në rang botëror, tri orët e rijetësimit të kryeveprës së Homerit kalojnë pa u ndier.

“Odisea” e Nolanit nuk përbën thjesht ekranizimin modern të një prej perlave të letërsisë botërore. Filmi ndërton një vepër që shkon përtej aventurave të Uliksit dhe përshkrimit tronditës të tyre. Nolan flet për njeriun, lidershipin, luftën dhe, mbi të gjitha, qytetërimin.

Vepra nis në atmosferën e rëndë që ka mbërthyer Itakën, ku pretendentët kërkojnë të martohen me Penelopën. Britanikja Anne Hathaway e sjell atë përmes një interpretimi romantik, që të kujton “Lulet e mollës” të John Galsworthy-t.

Penelopa e Nolanit nuk është personazhi klasik dhe hijerëndë që mbajmë mend nga imazhi i krijuar me plot meritë prej Irene Papas.

Penelopa e Hathaway-t është, mbi të gjitha, një grua. Malli dhe dashuria për bashkëshortin përbëjnë ndjesitë më të forta që ajo i përcjell shikuesit. Ajo shfaqet si një Penelopë romantike, e gatshme të braktisë fronin dhe të arratiset me njeriun që do. Pastaj le t’i lërë zotat të bëjnë atë që dinë dhe duan gjithmonë: të stërmundojnë krijesat për të cilat thonë vazhdimisht se i duan, ndërsa ua nxijnë jetën ditë pas dite.

Një natë përpara nisjes së tij drejt Trojës, Penelopa i lutet Odiseut që ta lërë Agamemnonin vetëm me ambicien e tij të çmendur. Një ambicie që nuk kurseu as të bijën, Ifigjeninë, të cilën Agamemnoni e sakrifikoi për lavdinë e vet.

Penelopa e Nolanit shkon përtej Homerit të madh kur i lutet Odiseut të hipin në barkë që atë natë dhe të lundrojnë drejt diellit që nuk shuhet. Ajo nuk vjen si një nga gratë e forta dhe të serta të antikitetit, por si një grua e ditëve tona, e cila i çmon ditët e jetës më shumë se lavdinë dhe mitet e rreme.

Më pas vjen akti i dytë, intermexo që rrëfen versionin e Nolanit për poemën homerike dhe sjell përballjen e dy divave. Odiseu i Matt Damonit, më shumë përjetim sesa lojë aktoriale, dialogon me Kalipson e Charlize Theronit.

Ishulli Ogjigia i nimfës Kalipso nuk paraqitet si një Eden me gjelbërim dhe jetë të shfrenuar për Odiseun. Ai shfaqet si një breg i shkretë pranë detit, ku heroi i Trojës përpiqet të mbledhë copat e anijes së mbytur bashkë me të gjithë ushtarët e tij.

As nimfa nuk shfaqet si një mbigrua posesive, që adhuron burrin të cilin e ka mbajtur peng për shtatë vjet. Ajo vuan, sepse e kupton se po mban pranë vetes, gabimisht, dikë që nuk e do. Edhe pse demenca ia ka fshirë kujtesën, Odiseu përmend Penelopën në ëndërr dhe mban karficën me perëndeshën Athina, dhuratë nga bashkëshortja e tij.

Pushtimi dhe djegia e Trojës vijnë përmes rrëfimeve të Odiseut në ishullin e Kalipsos. Nolan sjell tragjedinë e Homerit dhe e paraqet luftën me një realizëm tronditës.

Ashtu si në “Oppenheimer”, ku Nolan e trajton tmerrin e bombës bërthamore si një kërcënim aktual, ndërsa fuqitë e mëdha e përmendin përdorimin e saj sikur të flasin për bukën dhe djathin, edhe Troja e tij ngrihet si një paralajmërim kundër luftës dhe pasojave shkatërruese të saj për njerëzimin.

Një nga zgjedhjet më interesante të filmit lidhet me Helenën dhe Klitemnestrën. Nolan nuk i sjell ato përmes një provokimi snob. Dy motrat u martuan me dy vëllezër: Agamemnonin dhe Menelaun, mbretërit e Mikenës dhe Spartës.

Lupita Nyong’o interpreton të dyja rolet, pa e bërë menjëherë të dallueshme se pas të dyja figurave qëndron e njëjta aktore. Zgjedhja e Nolanit për ta sjellë Helenën si një grua me ngjyrë shkaktoi polemika, kryesisht mes puritanëve dhe atyre që mbeten të fiksuar pas imazhit klasik të gruas që shkaktoi Luftën e Trojës, një bjonde me sy bojëqielli.

Kultura europiane dhe Rilindja e përpunuan këtë imazh, ndërsa puritanët e kontinentit të vjetër e ruajtën dhe e trashëguan më tej.

E njëjta kulturë e paraqiti edhe Jezu Krishtin si një burrë të bardhë me sy blu, megjithëse ai ishte një hebre semit nga Lindja e Mesme, rajon ku njerëzit kishin përgjithësisht lëkurë të zeshkët dhe flokë të zinj.

Kështu paraqiten edhe Helena dhe Klitemnestra në vazot antike greke të shekujve IV dhe III para Krishtit, me flokë të errët dhe lëkurë të zeshkët.

Zgjedhja metaforike e Nolanit për përkatësinë racore të Helenës përcjell një mesazh për rikthimin te racionaliteti historik dhe logjik. Regjisori thyen klishetë që një ideologji mbisunduese i ka rrënjosur në kulturën europiane.

Megjithatë, finalja përbën pjesën më emocionuese dhe më të fuqishme të filmit. Hakmarrja e Odiseut ndaj pretendentëve që kishin shkelur ligjin e Zeusit për mikpritjen, “Trajtoji miqtë ashtu siç dëshiron që ata të të trajtojnë ty”, vjen me gjithë forcën dramatike që i dha Homeri.

Në fund, “Odisea” e Christopher Nolanit shkon përtej veprës së kolosit të letërsisë botërore dhe i jep poemës antike një zgjidhje krejt tjetër.

Odiseu e di se gjatë njëzet vjetëve e ka shkelur disa herë ligjin e Zeusit. Ai e shkel atë edhe kur vret të gjithë pretendentët. Për këtë arsye, abdikon nga froni dhe niset me Penelopën drejt diellit që nuk perëndon.

Nolan shënon kështu rënien e një qytetërimi të vrazhdë dhe brutal, të rrënuar nga lakmia për pushtet dhe pasuri. Odiseu dhe Penelopa largohen me shpresën se do të gjejnë një jetë të qetë, pa ndjenjën e fajit, pranë njeriut që duan.

Një vepër kinematografike që jep një leksion për jetën, lidershipin, luftën dhe, mbi të gjitha, për qytetërimin e sotëm, i cili ndodhet në një udhëkryq./Pamfleti

odisea christofer nolan homeri

Lini një Përgjigje