Përdorimi i parakohshëm i forcës po minon autoritetin global të Amerikës dhe po zëvendëson diplomacinë me një paqëndrueshmëri që nuk kursen as aleatët më të afërt.
Muajin e kaluar, Joe Kent - veteran ushtrie, ish-oficer i CIA-s dhe deri dje mbështetës i flaktë i parimit “Amerika e Para” të Donald Trumpit - dha dorëheqjen si drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit.
Arsyeja ishte e prerë: administrata Trump kishte hyrë në luftë me Iranin, ndonëse ky i fundit nuk përbënte asnjë kërcënim të pashmangshëm për SHBA-në. Edhe pse Kent gaboi kur e shpalli Izraelin si “dirigjentin” kryesor të përfshirjes amerikane (në fund të fundit, Trump mbetet president dhe ka vullnetin e tij), ai goditi në shenjë me diçka tjetër: lufta aktuale kundër Iranit, është në rastin më të mirë një “luftë e zgjedhur” parandaluese dhe tërësisht e pamenduar.
Në historinë tonë të freskët, shembulli tipik i një lufte të tillë mbetet ndërhyrja në Irak në vitin 2003. Përtej debatit për armët e shkatërrimit në masë, pyetja mbi legjitimin e fillimit të nje luftë parandaluese ishte pika më e nxehtë e atij konflikti- një çështje që nuk mori kurrë një përgjigje bindëse.
Në vend të kësaj, përmes asaj që u pagëzua si “Doktrina Bush”, parandalimi u ngatërrua qëllimisht me “goditjen paraprake” (pre-emption strike). Kjo e fundit kërkon një rrezik te pragu dhe njihet ligjërisht si e drejtë.
Ndonëse u kundërshtua fort në atë kohë, kjo doktrinë praktikisht e ktheu në një normë sulmin ushtarak të njëanshëm në emër të parandalimit. Në ato vite, opinioni publik ishte shumë më mirëkuptues.
Pas tmerrit të 11 shtatorit, Amerika jetonte me ankthin e një sulmi tjetër të asaj shkalle. Frika se Sadam Huseini mund t’u jepte armë kimike apo bërthamore grupeve terroriste ishte reale, sidomos kur bëhej fjalë për Al-Kaedën, një grupim radikal pa territor që nuk e njihte logjikën e vetëpërmbajtjes.
Mbi këtë bazë u argumentua se rrethanat e reja e përligjnin sulmin parandalues. Në strategjinë e sigurisë të vitit 2002, administrata Bush, e futi këtë nën ombrellën e “vetëmbrojtjes paraprake”, duke pretenduar të drejtën për të goditur “edhe nëse nuk dihej saktësisht koha apo vendi i sulmit të armikut”.
Ky interpretim u përpoq ta fuste parandalimin me zor brenda rregullave të OKB-së. Logjika ishte e thjeshtë: nëse do të prisnim derisa sulmi të ishte te dera, mund të ishte tepër vonë për ta ndalur.
Megjithatë, problemet ligjore dhe morale të kësaj doktrine u harruan shumë shpejt, pasi vëmendja kaloi te përpjekja për të vënë nën kontroll Irakun e pas-pushtimit. Por pasojat mbetën.
Theksi i Doktrinës Bush te “reagimi i shpejtë”, e bëri thuajse të pamundur sigurimin e një mbështetjeje të gjerë ndërkombëtare dhe shërbeu si pretekst edhe për praktika abuzive siç ishte torturimi i të dyshuarve për terrorizëm.
Kjo frymë parandaluese u trashëgua edhe te përdorimi i dronëve dhe operacionet speciale, shpesh të bazuara në informacione inteligjence që ishin thjesht supozime.
Si Bush, Obama, por edhe Trump (në mandatin e parë) dhe Biden e përqafuan këtë rrugë, pasi u jepte mundësi të dilnin nga “luftërat e pafundme” në Irak dhe Afganistan.
Dhe sa kohë që lufta bëhej kundër grupeve terroriste, kjo qasje ishte disi e pranueshme. Por supozimi ishte se në marrëdhëniet mes shteteve, bota do t’u kthehej rregullave më strikte.
Edhe në vitin 2011, kur SHBA dhe aleatët ndërhynë në Libi kundër Gadafit, ata u kujdesën ta paraqisnin operacionin si një “mision humanitar” për të mbrojtur civilët, dhe jo si një sulm të hapur për ndryshim regjimi.
Pak kush në komunitetin e politikës së jashtme, e parashikoi këtë përplasje kaq të ashpër midis fuqive të mëdha, apo mendoi se një president amerikan si Trump do të ishte kaq i gatshëm t’i shkelte plotërisht rregullat e vjetra.
Tani, sytë janë te Kongresi i SHBA-së si i vetmi mjet për ta frenuar. Kushtetuta i jep presidentit dorë të lirë në politikën e jashtme, por të drejtën për të shpallur luftë ia lë vetëm Kongresit.
Ndonëse përpjekja e fundit për të kufizuar fuqinë e Shtëpisë së Bardhë në luftën me Iranin dështoi, situata mund të ndryshojë. Zhgënjimi i ushtarakëve, destabilizimi i rajonit dhe zgjedhjet e mesmandatit mund t’i bëjnë më të suksesshme përpjekjet e ardhshme.
Lëvizja MAGA mund ta ketë fituar mbështetjen e popullit me sloganin “Amerika e Para”, por kur sulmet e njëanshme shoqërohen me përçmimin e aleatëve, pesha e Amerikës në botë vetëm sa zvogëlohet.
Kjo u pa qartë kur Trump kërkoi ndihmë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe hasi në ngurrimin e aleatëve.Të rrëmbesh armët kur diplomacia ka ende hapësirë, është një veprim që sjell destabilizim të panevojshëm.
Sot, si liberalët që duan rendin e bazuar në rregulla, ashtu edhe konservatorët realistë, po bashkohen në një front të përbashkët “frenues”. Ata janë të vetëdijshëm për rreziqet e tejshtrirjes strategjike të Amerikës dhe goditjet mbrapsht që vijnë prej saj.
Aventura e fundit ushtarake me Iranin, mund të jetë pikërisht shkëndija që do t’i bëjë këto zëra të dëgjohen më fort se kurrë./ Përshtati "Pamfleti Nga “Financial Times”
Shënim: Jonathan Stevenson, studiues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS). Me herët ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së gjatë administratës Obama.
Lini një Përgjigje