Banorët përshkruajnë frikë dhe pasiguri nën bombardimet e vazhdueshme pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit. Reportazh i The New York Times.
Shumë banorë të Teheranit u larguan me nxitim nga qyteti kur nisën sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa ata që mbetën përshkruajnë frikë dhe ankth nën bombardime të pandërprera. Kështu raporton The New York Times.
Radhë pallatesh në prag shembjeje. Bllok pas blloku i mbushur me metale të shtrembëruara, copa xhami dhe letra të shpërndara. Një dhomë spitali me dritare të thyera, me tulla dhe rrënoja që mbulojnë shtratin.
Këto ishin pamjet në Teheran të hënën, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdonin sulmin ndaj Iranit, sipas dëshmive të banorëve dhe materialeve filmike e fotografike. Pas katër ditësh bombardimesh, sulmet vetëm sa po intensifikoheshin, thanë banorë të kryeqytetit.
Vonë gjatë së njëjtës ditë, ushtria izraelite lëshoi një urdhër urgjent evakuimi për banorët e lagjes ku ndodhet burgu famëkeq Evin, ku mbahen kundërshtarë politikë. “Prania juaj në këtë zonë do të rrezikojë jetën tuaj”, paralajmëroi ushtria. Pak më vonë, banorët raportuan se qyteti u trondit nga shpërthime.
Sipas mediave zyrtare dhe banorëve, sulmet ajrore goditën zyrat e televizionit shtetëror në rrugën Vali Asr, pranë ish-selisë historike të Parlamentit në qendër të qytetit, si dhe zona të tjera të kryeqytetit. Në një rrjet social, banorë të Teheranit dëgjoheshin duke folur drejtpërdrejt në një mbledhje virtuale, kur zëri u ndërpre nga avionët luftarakë, shpërthimet dhe britmat.
“Sonte, sulmet janë edhe më masive”, tha një banor i Teheranit, Kamran, në një mesazh për një gazetar të The New York Times.
“Duken si bomba që bien njëra pas tjetrës, shpërthim pas shpërthimi.” Ashtu si iranianë të tjerë që folën për gazetën, ai kërkoi të mos përdorej mbiemri i tij, duke përmendur shqetësime për sigurinë.
Teherani njihet për energjinë e tij të gjallë, kulturën e kafeneve dhe trafikun e pandërprerë, por të hënën qyteti ishte i qetë, thanë në intervista gjashtë banorë dhe një fotograf që qarkulloi nëpër qytet. Dyqanet ushqimore, farmacitë dhe shumica e bizneseve ishin të mbyllura. Rrugët dhe autostradat ishin bosh.

Shumë banorë u larguan nga qyteti, duke kërkuar siguri në zonat malore dhe në veri të vendit, përgjatë brigjeve të Detit Kaspik. Por disa nuk mundën të largoheshin ose nuk kishin ku të shkonin.
Në intervista dhe në rrjete sociale ata përshkruan skena kaosi dhe paniku, me familje që merrnin sendet e tyre, i fusnin në qese plastike dhe largoheshin nga lagjet e bombarduara.
Disa thanë se rreziku dukej se vinte nga çdo drejtim. Ndërsa rrugët e brendshme të kryeqytetit ishin pothuajse pa makina, rrugët që të çonin jashtë qytetit ishin të mbingarkuara me trafik. Forcat e sigurisë dhe agjentë të shërbimeve sekrete kishin ngritur pika kontrolli në të gjithë Teheranin për të ndaluar dhe kontrolluar automjete dhe kalimtarë, thanë dëshmitarë.
“Sulmet ishin shumë pranë nesh mbrëmë dhe sot në mëngjes”, tha në një intervistë telefonike Yasaman, 40 vjeçe, fotografe.
“Nuk kam fjetur prej katër netësh”. Nuk është e qartë sa persona janë vrarë në kryeqytet, por në mbarë vendin, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit deklaroi të hënën se janë vrarë të paktën 175 persona. Mes tyre, sipas raportimeve, kishte shumë fëmijë që humbën jetën kur u godit shkolla e tyre në jug të Iranit.
Si shumë qytete të tjera, Teherani, një metropol i shtrirë me më shumë se 10 milionë banorë, nuk ndan qartë zonat tregtare, qeveritare dhe ushtarake nga ato të banuara. Kjo i lë civilët veçanërisht të ekspozuar, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli zgjerojnë listën e objektivave nga instalimet raketore dhe bërthamore drejt strukturave qeveritare, zyrave të transmetuesve shtetërorë dhe selive të sigurisë e policisë.
“Goditjet më të ashpra nga ushtria amerikane nuk kanë ardhur ende”, deklaroi të hënën sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Ndërkohë, re të mëdha tymi që ngrihen nga disa zona, ditë e natë, janë bërë pjesë e horizontit të qytetit.
“Teherani është një qytet plotësisht i ndërthurur”, tha në një intervistë telefonike Nasim, banore e kryeqytetit. “Në një bllok mund të kesh një shkollë, një komisariat policie, një spital dhe përreth pallate banimi.”
Të dielën në mbrëmje, Mina, 61 vjeçe, inxhiniere, po shikonte televizor në apartamentin e saj në bulevardin Jordan në veri të Teheranit, kur një ndërtesë zyrash tre dyer më tej u godit, tha ajo. Fuqia e shpërthimit theu dritaret dhe dyert e saj, si dhe dritaret e çdo ndërtese në bllok. Mina tha se nuk e dinte pse ajo ndërtesë ishte bërë objektiv.
“Sulmet janë shumë afër, zhurmat janë të mëdha, lutemi të arrijmë ta kalojmë natën”, tha ajo në një mesazh zanor.
Edhe Nasim përjetoi një shpërthim të madh të dielën në mbrëmje, teksa qëndronte pranë dritares. Shpërthimi, që krijoi një top të madh zjarri të kuq dhe tym, tronditi ndërtesën e saj dhe çau murin e sallonit.
“Mendova se apartamenti ynë do të shembej”, tha ajo. “Ishte e frikshme.”
Video të publikuara nga mediat shtetërore treguan pamje nga jashtë dhe brenda Spitalit Gandhi pas një sulmi nga forcat amerikane dhe izraelite në Teheran. Sulmi synonte kullën e telekomunikacionit të një kanali shtetëror përballë spitalit. Spitali privat, i njohur për trajtimet e fertilitetit, pësoi dëme të mëdha dhe evakuoi pacientët, përfshirë foshnja në inkubatorë, sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë dhe zyrtarëve të spitalit.
“Kemi foshnja të porsalindura”, tha presidenti i spitalit, Dr. Mohammad Hassan Bani Asad, në një intervistë të publikuar në mediat iraniane. “Kishim tetë pacientë në kujdes intensiv, dy në gjendje kritike. Gra në lindje. Embrione në repartin e fertilitetit.”
Lufta zhvillohet në një shoqëri që tashmë ka përjetuar goditje të thella pas shtypjes së ashpër të protestave kundërqeveritare në janar, gjatë së cilës u vranë të paktën 7.000 persona, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Protestat u nxitën nga gjendja ekonomike e Iranit, e cila është dëmtuar nga sanksionet amerikane, korrupsioni dhe keqmenaxhimi. Inflacioni arrin rreth 60%, sipas mediave shtetërore iraniane.

“Njerëzit e zakonshëm po lëndohen”, tha Ehsan, 36 vjeç, shkencëtar. “Edhe nëse nuk vritesh apo plagosesh, kur humbet shtëpinë ose biznesin, është shumë e vështirë të rimëkëmbesh në këto kushte ekonomike.”
Një nga ndërtesat më të vjetra të Teheranit, Pallati Golestan, pësoi dëme të konsiderueshme në sallën e famshme të pasqyrave dhe në kopshtin simetrik persian. Pallati, monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që daton nga viti 1404, ka mbijetuar luftëra, pushtime, grushte shteti dhe revolucione. Sipas mediave iraniane, ai u dëmtua nga sulme ndaj një komisariati policie aty pranë.
“Nëse bombardimet e vazhdueshme dëmtojnë monumente historike, hapësira kulturore dhe ndërtesa banimi, lufta do të perceptohet nga iranianët jo vetëm si sulm ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore, por edhe ndaj vetë kulturës dhe popullit të Iranit, ndaj historisë, identitetit dhe kujtesës kulturore”, deklaroi Omid Memarian, ekspert për Iranin në DAWN, një institut me seli në Uashington. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje