TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 21:50

Macron dhe Meloni lënë pas përplasjet: Nuk ka më asnjë hatërmbetje mes nesh

Shkruar nga Pamfleti
Macron dhe Meloni lënë pas përplasjet: Nuk ka më asnjë
Macron-Meloni

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron zhvilluan të premten samitin e 36-të ndërqeveritar mes Italisë dhe Francës, në Villa Eilenroc, në Cap d'Antibes, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, energjisë, sigurisë dhe politikës evropiane.

Në fillim të takimit, Meloni u përshëndet me Macron në frëngjisht duke bërë shaka: "Emmanuel, sa kohë ka kaluar".

Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti francez deklaroi se Italia dhe Franca janë "partnerë të domosdoshëm", duke kujtuar Traktatin e Kuirinalit si bazën e bashkëpunimit mes dy vendeve.

"Sfida jonë e përbashkët është mbështetja për Ukrainën dhe pjesëmarrja në misionet e paqes," tha Macron.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se është më e nevojshme se kurrë forcimi i pavarësisë energjetike të Evropës. Ai njoftoi se Franca dhe Italia do të bashkëpunojnë për zhvillimin e një reaktori të ri civil bërthamor.

Macron deklaroi gjithashtu se të dy vendet do të kontribuojnë në operacionet për çminimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se është e domosdoshme të parandalohet zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Nga ana e saj, Meloni falënderoi Macron për organizimin e samitit të G7 në Evian, duke e cilësuar atë si një sinjal të rëndësishëm uniteti dhe dialogu.

Ajo theksoi se Italia dhe Franca kanë interesa të përbashkëta në sektorin e mbrojtjes, ku të dyja vendet disponojnë industri të avancuara, ndërsa në lidhje me buxhetin e Bashkimit Evropian nënvizoi se prioritetet e reja nuk duhet të financohen në kurriz të bujqësisë.

Kryeministrja italiane përmendi gjithashtu si prioritete garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe adresimin e krizës humanitare në Gaza.

Lidhur me Libanin, të dy liderët ranë dakord të nisin një bashkëpunim që do të shkojë përtej misionit të OKB-së UNIFIL, mandati i të cilit pritet të përfundojë pas disa muajsh.

Macron hodhi poshtë zërat për marrëdhënie të ftohta mes tij dhe Melonit.

"Nuk ka më asgjë të ngrirë mes nesh. Kemi arritur të ndërtojmë konvergjencë dhe bashkëpunim," tha ai.

I pyetur për akuzat e Iranit se Italia kishte bashkëpunuar në sulmet ndaj territorit iranian, Meloni mohoi çdo përfshirje ushtarake të vendit të saj.

"Italia nuk ka marrë pjesë në konfliktin me Iranin. Bazat tona janë vënë në dispozicion vetëm për misione logjistike dhe teknike. Kur janë paraqitur kërkesa që dilnin jashtë këtij kuadri, ne kemi refuzuar përdorimin e tyre," deklaroi ajo.

Macron vlerësoi gjithashtu deklaratën përfundimtare të G7, duke theksuar se për herë të parë Shtetet e Bashkuara nënshkruan një dokument ku mbështesin integritetin territorial të Ukrainës.

Ndërsa për procesin gjyqësor ndaj Marine Le Pen, Meloni u shpreh se nuk i takon asaj të komentojë çështjet e brendshme të Francës.

"Nuk besoj se më takon mua të them çfarë është më e mira për francezët dhe nuk më ka pëlqyer kur të tjerët kanë bërë të njëjtën gjë ndaj Italisë," tha ajo.

meloni macron

Lini një Përgjigje