Si dinastitë e transportit detar po anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare përmes “flotës hije” dhe rishitjes së anijeve të vjetra. Ky rrjet i ngritur që në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe i koordinuar nga shërbimi sekret rus, mbetet shtylla kryesore që mban gjallë eksportet e naftës ruse në tregjet globale.
Pronarët grekë të anijeve tregtare kanë nisur një fushatë në shkallë të gjerë për rishitjen e cisternave me kapacitet të lartë që më parë transportonin ngarkesa ruse. Megjithatë, korporatat e mëdha greke të transportit detar vazhdojnë të luajnë një rol kyç në operimin e “flotës hije” të Rusisë.
Ndër kompanitë që menaxhuan anije cisterne për transportin e qindra miliona tonëve naftë ruse në vitin 2025 ishin: “Dynacom Tankers Management Ltd”, “Minerva Marine Inc”, “Polembros Shipping Ltd”, “Kyklades Maritime Corp”, “New Shipping Ltd-Lib”, “Stealth Maritime Corp SA”, “Marine Trust Ltd-Mai”, “Star Marine Management Inc”, “Eurotankers Inc” dhe “SR Navigation SA”.
Pavarësisht provave publike që tregojnë se dhjetëra anije të këtyre kompanive kanë shkelur sanksionet, ato e kanë shmangur përfshirjen në listat e zeza. Në të njëjtën kohë, ata mbeten lobistë me ndikim për interesat e Kremlinit brenda Bashkimit Evropian.
Dinastitë e detit dhe lidhjet e tyre
George Procopiou dhe ”Dynacom Tankers”. E themeluar në vitin 1991, kjo kompani kontrollon të paktën 74 cisterna dhe punëson mbi 5.000 detarë. Pronari i saj, manjati George Procopiou, pasuria e të cilit vlerësohej në 3.7 miliardë dollarë në vitin 2024, zotëron gjithashtu kompanitë “Dynagas Ltd” dhe “Sea Traders S.A”. Procopiou njihet për kritikën e tij publike ndaj politikave të dekarbonizimit dhe lobimin kundër reduktimit të lëndëve djegëse fosile.
Familja Martinos dhe “Minerva Marine”. E drejtuar nga Andreas A. Martinos, ajo ka një flotë prej mbi 70 anijesh. Kompania ka qenë shpesh në qendër të kritikave për përfshirjen në transportin e naftës ruse, duke përdorur shpesh flamurin e Maltës. Familja Martinos punon edhe përmes “Thenamaris Inc”, duke transportuar produkte nafte midis SHBA-së, Kanadasë dhe Francës.
Familja Vafias dhe “Stealth Maritime”. Kjo korporatë zotëron rreth 50 anije, përfshirë cisterna nafte dhe transportues gazi. Kompanitë e lidhura me Harry Vafias kanë qenë nën vëzhgim për lëvizjet e tyre në tregun rus, duke shfrytëzuar rrjetet e tyre globale për të garantuar vazhdimin e tregtisë edhe në kohë sanksionesh.
Familja Gotsis dhe “Eurotankers Inc”. Kjo kompani ka një historik të mëparshëm me aktivitet në zona të nxehta, pasi disa prej anijeve të saj u sanksionuan më parë nga SHBA për transportin e naftës venezueliane. Ajo operon përmes një rrjeti të ndërlikuar kompanish të regjistruara në zona “offshore”, duke e bërë të vështirë gjurmimin e pronësisë.
Familja Polemis dhe “Polembros Shipping”. E themeluar në vitin 1974, kjo kompani ka një histori të gjatë bashkëpunimi me rrjetet ruse, duke përfshirë firmën tregtare ”Gunvor”. Pas vdekjes së Spyros Polemis në vitin 2024, kontrolli kaloi te djali i tij, Leonidas, i cili menaxhon edhe “New Shipping Ltd-Lib”, anijet e së cilës shërbejnë kryesisht në rrugët drejt Kinës.
Familja Alafouzos dhe “Kyklades Maritime”. E kontrolluar nga familja Alafouzos (e njohur edhe për pronësinë e televizionit “SKAI” dhe gazetës “Kathimerini”), kjo kompani zotëron rreth 30 anije. Djali i themeluesit, Ioannis Alafouzos, udhëheq biznesin detar dhe ka qenë president i klubit të futbollit Panathinaikos.
Nga Lufta e Ftohtë deri sot dhe roli i shërbimit sekret rus
Marrëdhënia midis pronarëve grekë dhe naftës ruse nuk është e re. Gjatë Luftës e Ftohtë, Bashkimi Sovjetik mbështetej te flotat e huaja për eksport. Pronarët grekë ishin partnerë idealë për shkak të fleksibilitetit tregtar dhe përdorimit të “flamujve të komoditetit” (Liberi, Panamà, Maltë).
Kjo krijoi një marrëdhënie thjesht komerciale, jo domosdoshmërisht ideologjike, e cila u forcua pas rënies së BRSS në vitin 1991. Edhe pse shërbimi sekret sovjetik monitoronte me vëmendje transportin detar global, nuk ka prova të deklasifikuara që vërtetojnë se familjet e mëdha greke ishin bashkëpunëtore të KGB-së.
Gjithsesi, arkivat historike tregojnë se KGB-ja i konsideronte rrjetet e transportit detar si asete strategjike për anashkalimin e embargove perëndimore dhe blerjen e teknologjive të ndaluara.
Agjentët sovjetikë depërtonin shpesh te agjencitë e rekrutimit të detarëve dhe zyrtarët e porteve për të siguruar lëvizjen e papenguar të ngarkesave shtetërore. Tradita e monitorimit dhe infiltrimit të logjistikës ndërkombëtare hodhi bazat për strukturat moderne që Moska përdor sot për të fshehur gjurmët e naftës së saj.
Pse Greqia është qendra e “Flotës Hije” pas vitit 2022?
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, pronarët grekë u bënë qendrorë për logjistikën ruse për tri arsye kryesore. Së pari, ata shërbyen si një urë ligjore sepse kur u vendos kufiri i çmimit nga G7, anijet greke vazhduan të transportonin naftë ruse duke deklaruar se çmimi ishte nën kufirin e lejuar, gjë që parandaloi kolapsin e papritur të eksporteve ruse.
Së dyti, arbitrazhi tregtar luajti një rol kyç, pasi rrugët ruse u bënë jashtëzakonisht fitimprurëse me tarifa transporti nga Balltiku në Indi që arritën deri në 15 milionë dollarë për udhëtim, duke joshur pronarët grekë që të pranonin rreziqet e sanksioneve.
Së treti, hapi më kritik ishte shitja e anijeve të vjetra, ku pronarët grekë ua shitën cisternat e tyre të vjetra blerësve të panjohur dhe kompanive “guackë” me çmime shumë të larta, duke formuar kështu bërthamën e “flotës hije” ruse që operon plotësisht jashtë sistemit perëndimor të sigurimeve dhe rregullave.
Ky pozicionim strategjik ka pasoja të mëdha. Së pari, struktura familjare e këtyre korporatave i bën ato jashtëzakonisht rezistente ndaj sanksioneve klasike që synojnë vetëm kompanitë.
Së dyti, ndikimi i tyre i madh në mediat greke, politikën vendase dhe infrastrukturën globale detare u jep atyre një mburojë mbrojtëse që vështirë se mund të penetrohet pa masa drastike.
Së treti, çdo përpjekje serioze për të goditur këtë sistem duhet të kalojë nga sanksionet personale mbi pronarët përfitues, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndryshuar gatishmërinë e tyre për të mbështetur ekonominë ruse të luftës.
Deri në shkurt të vitit 2026, anijet nën kontrollin e BE-së (kryesisht greke) përbënin ende rreth 19 për qind transportit të naftës ruse. Greqia mbetet qendrore sepse qëndron në mes të sistemit të rregullt dhe atij hije. Lidhja greke me “flotën hije” ruse, nuk buron nga ideologjia pro-ruse, por nga pozicionimi unik tregtar.
Ata e ndihmuan Rusinë, fillimisht duke transportuar naftë me kufi çmimi dhe më pas duke furnizuar mjetet që bënë të mundur tregtinë jotransparente. Prandaj çdo përpjekje serioze për të dobësuar eksportet ruse, duhet të synojë goditjen e këtij rrjeti./ Përshtati "Pamfleti", nga “Lansing Institute”
Lini një Përgjigje