TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2026, 17:07

Prova e madhe politike e Melonit/ Referendumi mbi reformën në drejtësi, sondazhet e nxjerrin humbëse

Shkruar nga Pamfleti
Prova e madhe politike e Melonit/ Referendumi mbi reformën në
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni

Kryeministrja italiane hyn drejtpërdrejt në fushatë, ndërsa sondazhet tregojnë rrezik humbjeje në votimin e 22–23 marsit

Kryeministrja e djathtë e Italisë, Giorgia Meloni, të enjten u vendos në vijën e parë të fushatës për një referendum të rëndësishëm, duke vënë në lojë peshën e saj politike, ndërsa votimi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një test të autoritetit të saj.

Referendumi për reformën në drejtësi, që do të zhvillohet më 22–23 mars, përbën një përballje vendimtare për Melonin. E djathta italiane ka kërkuar prej kohësh një mundësi për të riformuar sistemin ligjor, të cilin e konsideron të prirur në favor të së majtës.

Megjithatë, plebishiti kombëtar ka evoluar përtej një votimi mbi rregullat që përcaktojnë karrierën dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve të drejtësisë, duke u shndërruar në një votë më të gjerë besimi ndaj saj dhe qeverisë së saj. Sondazhet më të fundit tregojnë se ajo mund të përballet me pengesën e parë të madhe gjatë mandatit të saj si kryeministre, pikërisht në një moment kur dukej se po forconte pozitat në Itali dhe në Bruksel.

Të enjten, Meloni u shfaq me një ton të ashpër, duke akuzuar strukturën aktuale të drejtësisë për shumë raste të dështimeve të drejtësisë dhe duke i quajtur disa vendime gjyqësore “surreale”.

Duke folur në teatrin Franco Parenti në Milano, Meloni përsëriti argumentet kryesore të fushatës së saj, duke këmbëngulur se gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi dhe veprojnë jashtë kontrollit. Ajo gjithashtu po e paraqet gjithnjë e më shumë sistemin gjyqësor si të drejtuar nga “fraksione” të opozitës së majtë dhe akuzon gjyqtarët se po bllokojnë objektivin e saj kryesor për të frenuar migracionin e paligjshëm dhe krimin.

“Nëse reforma nuk kalon këtë herë, ndoshta nuk do të kemi një tjetër mundësi. Do të përballemi me fraksione edhe më të fuqishme, me gjyqtarë edhe më të pakujdesshëm, me vendime edhe më surreale, ndërsa emigrantë, përdhunues, pedofilë dhe trafikantë droge do të lirohen dhe do të vënë në rrezik sigurinë tuaj,” tha ajo.

Në vijim Meloni shtoi “kur drejtësia nuk funksionon, nuk mund të bësh asgjë, askush nuk mund të bëjë asgjë, përveç kësaj here”, duke u bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë më vonë këtë muaj.

Deri më tani, Meloni kishte mbajtur distancë nga fushata, duke inkurajuar aleatët dhe ministrat të përcillnin mesazhin ndërsa ajo vetë kufizohej në komente të rastësishme dhe sulme sporadike ndaj gjyqtarëve.

Por pasi sondazhet e fundit publike javën e kaluar treguan se kampi i saj mund të humbasë me rreth 5 pikë përqindje, kryeministrja ka vendosur tani të përfshihet më drejtpërdrejt.

Figura të opozitës thonë se kjo lëvizje tregon se qeveria ka frikë nga humbja.

Kryeministrja, në kundërshtim me angazhimin e saj për të mos përfshirë qeverinë në referendum, është hedhur plotësisht në fushatë,” tha deputeti Alfredo D’Attorre, një figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike të qendrës së majtë në opozitë. “Është e qartë se ajo është shumë e shqetësuar për rezultatin”.

Ai shtoi se votuesit mund të mos mbeten të impresionuar nëse Meloni “kalon dy javët e ardhshme duke qenë një influencuese për votën ‘po’” në vend që të qeverisë Italinë “në një moment tensioni ndërkombëtar”.

Në të vërtetë, Meloni po përballet edhe me vështirësi politike brenda vendit për shkak të aleancës së saj me presidentin amerikan Donald Trump, i cili është shumë jopopullor në Itali, si dhe për shkak të luftës në Iran, për të cilën italianët kanë frikë se mund të rrisë edhe më shumë faturat e tyre të energjisë.

Një bast politik

Sfida për Melonin është se fushata e referendumit përqendrohet në ndryshime institucionale teknike që janë të vështira për t’u shpjeguar dhe edhe më të vështira për të mobilizuar votuesit rreth tyre.

“Argumentet janë shumë teknike dhe abstrakte, gjë që nuk fiton zemrat e njerëzve”, tha Giovanni Orsina, historian politik në Universitetin Luiss në Romë.

“Opozita ka një bazë të qëndrueshme votuesish që do të dalin kundër Melonit pavarësisht gjithçkaje. Si mund t’i mobilizojë ajo mbështetësit e saj? Duke krijuar një armik dhe një përplasje mes së mirës dhe së keqes”, shtoi Orsina.

Meloni është përpjekur ta paraqesë referendumin rreth çështjeve që rezonojnë më fort me elektoratin e saj, veçanërisht migracionin dhe sigurinë publike.

Orsina tha se hyrja e kujdesshme e Melonit në fushatë kishte kuptim politik.

“Si kryeministre, nuk mund të ekspozohesh shumë”, tha ai, duke shtuar “nëse bëhesh fytyra e fushatës dhe humbet, paguan çmimin.”

Sipas tij, ajo do të monitorojë sondazhet private dhe do të testojë terrenin. “Nëse hyn në fushatë dhe sondazhet lëvizin në favor të saj, do të bëhet më e pranishme. Nëse jo, mund të tërhiqet për të shmangur goditjen e plotë”, theksoi Orsina.

Dilema është e qartë: pa përfshirjen direkte të Melonit, fushata rrezikon të humbasë vrullin. Por sa më shumë që referendumi të lidhet personalisht me të, aq më i madh do të jetë dëmi politik në rast humbjeje.

“Referendumi ka rezultuar një rrezik i panevojshëm për Melonin,” tha Orsina.

Italianët e dinë mirë se ish-kryeministri Matteo Renzi u detyrua të japë dorëheqjen pasi humbi referendumin për reformën kushtetuese në vitin 2016. Megjithatë, Meloni këmbëngul se nuk do të largohet nga posti, pavarësisht rezultatit.

“Nuk ka asnjë mënyrë që të jap dorëheqjen në çfarëdo rrethane. Dua ta shoh deri në fund këtë legjislaturë,” tha ajo. /Përshtatur nga Politico/

 

meloni reforma ne drejtesi referendumi

1 Komente

  1. E
    Ermir kulla

    Gazeta pamfleti Sa Per zemer e keni komunizmin mbrojtese dhe sherbetore e devotshme e kellirave qe mjeruan kete popull

    Lini një Përgjigje