
Europa flet për sanksione, por paguan miliarda për naftën e Putinit
Tetë vite më parë, politika e jashtme amerikane ishte në duart e Rex Tillerson, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë gjigante Exxon, që u bë Sekretar Shteti në mandatin e parë të Donald Trump. Sot lidhja Exxon rikthehet në vëmendje, pasi një investigim i Wall Street Journal zbuloi se gjatë samitit të fundit në Alaskë mes Trump dhe Putin, është diskutuar rikthimi i Exxon në biznesin e naftës ruse. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur Trump ka vendosur tarifa të rënda ndaj Indisë, 50 për qind mbi importet e saj të naftës, duke e ndëshkuar për shkeljen e sanksioneve, ndërkohë që vetë Amerika duket se po përgatitet për një të ardhme pas sanksioneve.
Tablonë e bën edhe më të turbullt Europa. Sipas narrativës zyrtare, Bashkimi Evropian ka mbyllur rubinetat ruse dhe, edhe me kosto të mëdha, ka hequr dorë nga varësia energjetike ndaj Moskës. Por realiteti është tjetër. Importet e energjive fosile nga Rusia nuk kanë pushuar asnjëherë. Tre vjet e gjysmë pas agresionit mbi Ukrainë dhe shpalljes së sanksioneve, Bashkimi Evropian i ka paguar Rusisë plot 23 miliardë euro vetëm për blerjen e karburanteve fosile. Dhe kjo shifër nuk përfshin importet e kryera përmes vendeve të treta si India. Pikërisht ajo Indi që Trump kritikon, jo vetëm furnizohet me gaz e naftë ruse për nevojat e saj, por është kthyer edhe në qendër të rafinimit të naftës ruse që më pas ia shet Europës si karburant makinash. Bilanci i vërtetë i sanksioneve është pra shumë i ndryshëm nga ai që paraqitet. Gjuha e fortë politike shoqërohet me kompromise dhe ambiguitete pa fund. Për pasojë, fronti i vendeve që thonë se janë miq të Kievit nuk ka pushuar kurrë së financuari makinerinë e luftës së Putinit.
Kthehemi tek investigimi i Wall Street Journal. Në samitin e Anchorage në Alaskë, Trump dhe Putin u shfaqën përpara kamerave duke buzëqeshur dhe duke folur për më shumë bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Por pas dyerve të mbyllura, sipas burimeve amerikane, gjigantët e energjisë nga të dyja palët diskutuan ringjalljen e një partneriteti të vjetër, projektin Sakhalin-1, një nga fushat më të mëdha të naftës dhe gazit në Lindjen e Largët rus. Exxon Mobil ishte pjesë e tij që nga viti 1995, por u detyrua të largohej pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, duke humbur miliarda dollarë. Moska e bllokoi shitjen e aksioneve dhe në fakt e shpronësoi investimin. Tani Exxon po shqyrton rikthimin, i udhëhequr nga drejtuesit e saj kryesorë dhe me bekimin e Trump. Për Putinin, rikthimi i një kolosi amerikan do të ishte një fitore e madhe, pasi do të thyente izolimin dhe do të sillte kapital e teknologji perëndimore në një sektor strategjik. Për Exxon do të nënkuptonte rikuperim të humbjeve dhe sigurimin e furnizimeve të qëndrueshme me tregje të mëdha në Azi.
Megjithatë, rezultati i këtyre manovrave mbetet i pasigurt. Industria ruse ende prodhon naftë, por pa investime të reja teknologjike aftësia e saj bie. Ekonomia është nën presion nga inflacioni, normat e larta të interesit dhe shpronësimet arbitrare. Shitjet në Europë kanë rënë, ndërsa India dhe Kina blejnë me çmime të ulëta dhe pagesa të vonuara. Gjithçka varet nga përfundimi i luftës. Nëse Trump arrin të imponojë një marrëveshje, Exxon mund të rikthehet. Nëse Putini vijon luftën, atëherë linja e ashpër e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe republikanëve të Kongresit mund të fitojë terren dhe të çojë drejt sanksioneve të reja.
Ndërkohë, paradoksi më i madh mbetet Bashkimi Evropian. Zyrtarisht promovon sanksione, por në praktikë mbetet i varur nga energjia ruse. Kjo varësi u ekspozua edhe nga strategjia e re ushtarake e Zelenskyt. Sulmet e fundit të ushtrisë ukrainase mbi infrastrukturat e naftës në Rusi treguan se Europa ende mbështetet mbi tubacionet e saj. Kiev ka goditur disa herë naftësjellësin Druzhba, më i madhi në botë, që furnizon Gjermaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë. Sulmet me dronë dhe raketa amerikane Himars ndërprenë përkohësisht flukset, duke rrezikuar furnizimin e Berlinit dhe duke shkaktuar mungesa në Sllovaki e Hungari. Kryeministri hungarez Viktor Orbán reagoi ashpër, duke akuzuar Zelenskyn se po dëmtonte edhe aleatët, dhe i dërgoi një letër Trumpit për të shprehur pakënaqësinë. Trump megjithatë mbrojti strategjinë ukrainase, duke thënë se mënyra e vetme për ta fituar luftën është ta çosh brenda territorit rus. Zelensky u përgjigj duke premtuar goditje më të thella. Kjo situatë nxjerr në pah kontradiktën europiane. Nga njëra anë përgatitet paketa e 19 e sanksioneve, nga ana tjetër importet e naftës e gazit rus vazhdojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes rrugëve të treta si India. Katër vjet pas nisjes së luftës, kontinenti ende nuk ka arritur të shkëputet nga Moska. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje