TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2025, 22:31

Mbështetësit i shpallin luftë Trump-it: Kapelet MAGA bëhen hi!

Shkruar nga Pamfleti

Mbështetësit i shpallin luftë Trump-it: Kapelet MAGA bëhen

Skandali “Epstein” trondit bazën politike të Trump, republikanë të profilit të lartë kërkojnë publikimin e dosjeve të fshehta

Përpjekjet e Donald Trump për të minimizuar kritikat mbi menaxhimin e administratës së tij ndaj dosjeve të lidhura me Jeffrey Epstein, duke e quajtur të gjithë çështjen një “mashtrim”, duket se nuk po funksionojnë. Të enjten, figura të rëndësishme nga të gjitha krahët politikë dolën në skenë me akuza ndaj ish-presidentit, ndërsa disa mbështetës të tij publikuan video ku digjnin kapelat “Make America Great Again” në shenjë proteste.

Pak ditë më parë, edhe Mike Johnson, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një nga aleatët më besnikë të Trump, kërkoi publikimin e plotë të dokumenteve për financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, një abuzues seksual i dënuar dhe mik i vjetër i Trump.

Por zemërimi nuk ndalet këtu. Ish-zëvendëspresidenti Mike Pence deklaroi për CBS News se “ka ardhur koha që administrata të bëjë transparente të gjitha dosjet për hetimet dhe ndjekjen penale ndaj Epstein”. Ndërsa Laura Loomer, teoriciene konspirative dhe këshilltare e afërt e Trump, kërkoi emërimin e një prokurori të posaçëm për të hetuar rastin Epstein. “Është absurde të quhet ‘mashtrim’ një çështje ku Ghislaine Maxwell është dënuar me 20 vjet burg për krimet e saj në bashkëpunim me një abuzues seksual të provuar si Epstein”, tha ajo.

Ndërkohë, Theo Von, drejtues i njohur i podcast-eve që kishte marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Trump, postoi një koment kritik mbi mungesën e transparencës, duke pyetur: “Çfarë ka ndryshuar?”, në një video të senatorit JD Vance që dikur kërkonte publikimin e plotë të listës së klientëve të Epstein.

Presioni brenda vetë radhëve të republikanëve

Edhe senatorë të tjerë republikanë po kërkojnë përgjigje. Senatori Josh Hawley vuri në dyshim versionin e Departamentit të Drejtësisë, duke deklaruar: “Është e vështirë të besohet që DOJ dhe FBI nuk e dinë kush kanë qenë klientët e Epstein”. Ai kërkoi që Maxwell të thirret për të dëshmuar publikisht.

Në një përplasje të rrallë midis Trump dhe aleatit të tij Johnson, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi të martën që Departamenti i Drejtësisë të bëjë publike më shumë dokumente dhe i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi “të shpjegojë publikisht situatën”. Bondi është vënë në shënjestër pasi fillimisht tha se kishte një listë klientësh të Epstein, por më pas e mohoi këtë.

Megjithatë, ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve votuan dy herë këtë javë për të bllokuar kërkesat demokrate për publikimin brenda 30 ditëve të dosjeve të plota mbi Epstein, me vetëm një republikan, Ralph Norman nga Karolina e Jugut, që votoi pro.

Përjashtimi i një prokuroreje dhe spiralja e pakënaqësisë publike

Kriza u thellua më tej pas lajmit se Maurene Comey, prokurore federale dhe bija e ish-drejtorit të FBI-së James Comey, e cila kishte ndjekur çështjet penale të Epstein dhe Maxwell, u shkarkua nga detyra. Departamenti i Drejtësisë nuk dha asnjë arsye për këtë vendim, duke ngritur më shumë pikëpyetje mbi integritetin institucional.

Ndërkohë që kontrolli mbi elektoratin e tij tradicional po i rrëshqet nga duart, Trump sulmoi “republikanët budallenj”, duke i akuzuar se po luajnë në favor të demokratëve duke kërkuar dokumente mbi Epstein. “Unë e quaj këtë ‘mashtrimi Epstein’. Po harxhojnë kohë me një çështje që ka marrë fund, në vend që të flasin për arritjet tona”, u shpreh Trump nga Zyra Ovale gjatë një takimi me princin e kurorës së Bahreinit.

Por të dhënat janë kundër tij. Sipas një sondazhi të fundit nga Reuters/Ipsos, 69% e amerikanëve besojnë se qeveria federale po fsheh informacione për klientët e Epstein, ndërsa rreth 25% janë të pasigurt. Vetëm një pakicë beson në transparencën aktuale. /"The Guardian"

Lini një Përgjigje