TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 08:11

Mes paralajmërimeve për përshkallëzim, SHBA dhe Irani ulen sot në tryezën e bisedimeve në Oman

Shkruar nga Pamfleti
Mes paralajmërimeve për përshkallëzim, SHBA dhe Irani ulen
Steve Witkoff dhe Abbas Araghch

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit zhvillojnë sot bisedime direkte në Oman, në një fazë të tensionuar të marrëdhënieve dypalëshe, ku rreziku për përshkallëzim ushtarak mbetet i pranishëm. Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik mes dy vendeve, që prej vitesh nuk kanë marrëdhënie formale.

Bisedimet zhvillohen pas forcimit të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, një veprim që Uashingtoni e ka justifikuar me shqetësimet për sigurinë rajonale dhe stabilitetin, pas shtypjes së dhunshme të protestave mbarëkombëtare në Iran muajin e kaluar. Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportojnë se gjatë këtyre protestave kanë humbur jetën mijëra persona, ndërsa autoritetet iraniane kanë mohuar shifrat dhe kanë fajësuar aktorë të jashtëm për trazirat.

Takimi në Oman zhvillohet në kuadër të përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësve rajonalë për të ulur tensionet dhe për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake. Palët mbajnë qëndrime të kundërta mbi përmbajtjen e dialogut, por kanë sinjalizuar se çdo rezultat pozitiv mund të hapë rrugën për negociata të mëtejshme.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Irani të ndalë programin e tij bërthamor, të reduktojë rezervat e uraniumit të pasuruar dhe të pranojë një regjim më të gjerë inspektimesh ndërkombëtare. Uashingtoni synon gjithashtu që në tryezë të përfshihet programi iranian i raketave balistike dhe roli i Teheranit në konfliktet rajonale. Autoritetet iraniane kanë deklaruar se pranojnë të diskutojnë vetëm çështjen bërthamore dhe e konsiderojnë programin e raketave si çështje të sigurisë kombëtare.

Në javët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të përjashtojnë veprime ushtarake në rast se nuk arrihet një marrëveshje. SHBA ka dislokuar mijëra trupa dhe forca detare shtesë në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë, duke rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Gjirin Persik.

Irani ka bërë të ditur se do të reagojë ndaj çdo sulmi, duke sinjalizuar se do të godasë objektiva amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izraelin. Zyrtarë iranianë kanë theksuar se çdo përshkallëzim do të ketë pasoja të gjera për sigurinë rajonale.

Delegacionin iranian në bisedime e drejton ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga i dërguari special Steve ëitkoff dhe Jared Kushner. Ky është kontakti i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të dy vendeve që nga përplasja ushtarake mes Izraelit dhe Iranit në qershorin e vitit të kaluar, kur SHBA goditi tre objekte kryesore bërthamore iraniane. Teherani ka deklaruar se pas këtyre sulmeve ka ndalur aktivitetin e pasurimit të uraniumit, një pretendim që mbetet i pakonfirmuar nga agjencitë ndërkombëtare.

Bisedimet ishin planifikuar fillimisht të mbaheshin në Stamboll, me përfshirjen e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit, por Irani kërkoi në momentet e fundit zhvendosjen në Oman dhe zhvillimin e tyre vetëm mes dy delegacioneve, pa ndërmjetës të drejtpërdrejtë.

Për drejtuesit iranianë, të përballur me presion të fortë të brendshëm dhe sanksione të vazhdueshme ekonomike, takimi në Oman përbën një provë vendimtare për të shmangur një ndërhyrje ushtarake amerikane, në një moment kur stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit mbetet i brishtë.

steve witkoff irani bisedimet shba-iran

Lini një Përgjigje