TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2026, 14:04

Çmimet e larta të gazit në SHBA, Sekretari i Energjisë: Është sakrificë e nevojshme

Shkruar nga Pamfleti
Çmimet e larta të gazit në SHBA, Sekretari i Energjisë:
Chris Wright

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi se çmimet e larta të gazit që po paguajnë aktualisht amerikanët janë një sakrificë e përkohshme që, sipas tij, do të sjellë përfitime në afatgjatë.

Në një intervistë për CNN, Wright theksoi se presioni ekonomik dhe ushtarak ndaj Iranit synon të dobësojë aftësinë e Teheranit për të kërcënuar trupat amerikane, aleatët e SHBA-së dhe tregjet globale të energjisë.

“Po dëmtojmë aftësitë e Iranit për të kërcënuar trupat amerikane në rajon, aleatët dhe tregjet globale të energjisë. Ndonjëherë duhet të kalosh dhimbje afatshkurtra për të zgjidhur një problem afatgjatë”, u shpreh Wright, duke e cilësuar këtë si një formë lidershipi të fortë nga Presidenti Donald Trump.

Ndërkohë, nga ana e Iranit ka ardhur një paralajmërim se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, dyfishi i nivelit aktual. Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike, Ebrahim Zolfaqari, në një prononcim për Reuters.

Megjithatë, Wright e cilësoi këtë skenar si pak të mundshëm, duke theksuar se SHBA mbetet prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe se tregu global ka burime të tjera furnizimi.

Sipas ekspertëve të tregut energjetik, edhe në rast se Ngushtica e Hormuzit do të bllokohej për një periudhë të gjatë, çmimi i naftës mund të arrijë rreth 150 dollarë për fuçi.

Një nivel i tillë do të tejkalonte rekordin historik të vendosur në vitin 2008, periudhë kur rritja e çmimeve të energjisë ishte një nga faktorët që kontribuan në krizën financiare globale.

 

Lini një Përgjigje