
Trump njoftoi se ka urdhëruar dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane drejt “zonave të përshtatshme” pranë Rusisë...
Paqja mes Rusisë dhe Ukrainës duket shumë larg. Plani i presidentit Donald Trump për t’i ushtruar presion Rusisë për të arritur paqe duket se nuk po funksionon aspak. Kjo ka nxitur një përplasje deklaratash në distancë mes SHBA-së dhe Rusisë gjë që ka ngritur gjakrat.
Ultimatumi i Trump ndaj Rusisë për të arritur një marrëveshje me Ukrainën brenda 10-12 ditësh, nxiti një reagim të nxehtë nga zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Dmitry Medvedev, i cili tha se kërcënime të tilla nuk janë gjë tjetër, veçse një hap drejt luftës mes Rusisë dhe SHBA-së.
Trump's playing the ultimatum game with Russia: 50 days or 10… He should remember 2 things:
— Dmitry Medvedev (@MedvedevRussiaE) July 28, 2025
1. Russia isn't Israel or even Iran.
2. Each new ultimatum is a threat and a step towards war. Not between Russia and Ukraine, but with his own country. Don't go down the Sleepy Joe road!
"Trump po luan lojën e ultimatumit me Rusinë: 50 ditë apo 10… Ai duhet të mbajë mend 2 gjëra: 1. Rusia nuk është Izraeli apo Irani. 2. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ndiqni rrugën e Sleepy Joe", shkroi Medvedev në "X" pak ditë më parë.
Ndërkohë që sot, Trump njoftoi se ka urdhëruar dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane drejt “zonave të përshtatshme” pranë Rusisë, si reagim ndaj deklaratave që i cilësoi si jashtëzakonisht provokuese nga Medvedev.
Me anë të një postimi në rrjetin social “TruthSocial”, Trump tha se pavarësisht se kërcënimet e Medvedev mund të duken si fjalë boshe, historia ka treguar se ato sjellin pasoja të padëshirueshme, duke nënkuptuar se gjithçka mund të ndodhë.
“Bazuar në deklaratat tejet provokuese të ish-Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është Zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump.
Më herë presidenti amerikan tha se kjo luftë nuk ishte nisur prej tij, por nga Bideni dhe se ai thjesht po përpiqje që ta ndalonte atë. Në deklaratën e tij në “Truth Social”, Trump publikoi një bilanc ku tregonte se Rusia ka humbur mbi 20 mijë ushtarë këtë muaj dhe 112 mijë që nga nisja e konfliktit dhe vuri theksin se synimi i tij, ishte të ndalonte pikërisht këto vdekje.
“Sapo më informuan se pothuajse 20,000 ushtarë rusë vdiqën këtë muaj në Luftën qesharake me Ukrainën. Rusia ka humbur 112,500 ushtarë që nga fillimi i vitit. Kjo është një VDEKJE e panevojshme! Megjithatë, edhe Ukraina ka vuajtur shumë. Ata kanë humbur afërsisht 8,000 ushtarë që nga 1 janari 2025, dhe ky numër nuk përfshin të zhdukurit e tyre. Ukraina ka humbur gjithashtu civilë, por në numër më të vogël, ndërsa raketat ruse bien në Kiev dhe në vende të tjera ukrainase. Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë - Kjo është lufta e Bidenit, jo e "TRUMPIT". Jam këtu vetëm për të parë nëse mund ta ndaloj”, shkroi më herët Trump. /Pamfleti
Lini një Përgjigje