Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, pasi një ditë më parë KLP kishte shtyrë shqyrtimin e procedurave për të studiuar kuadrin ligjor dhe mënyrën e verifikimit të kandidatëve në kushtet e përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar (vettingut) dhe ndryshimeve të fundit ligjore.
Sipas vendimit të miratuar, nga dita e premte kandidatët do të kenë 30 ditë afat për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe për të shprehur interesin pranë KLP-së. Më pas, Këshilli do të vijojë me procedurat e verifikimit të kandidatëve, sipas parashikimeve ligjore.
Anëtarët e KLP-së kishin ngritur më herët dilema lidhur me mënyrën e kryerjes së kontrollit pasuror dhe të figurës së kandidatëve, pas përfundimit të mandatit të institucioneve të vettingut në qershor. Për këtë arsye, ata vlerësuan të nevojshëm shqyrtimin e akteve ligjore dhe të rregullores së garës, për të përcaktuar nëse procedurat duhej të përshtateshin me rrethanat e reja ligjore.
Mandati shtatëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor. Ai është prokurori i parë i zgjedhur sipas reformës në drejtësi dhe përfundimi i mandatit të tij ka sjellë nisjen e procedurave për përzgjedhjen e pasuesit.
Edhe pse ende nuk ka kandidatura zyrtare, në qarqet e drejtësisë vijojnë të përfliten disa emra që mund të garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Lini një Përgjigje