
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se është i gatshëm të shqyrtojë një marrëveshje që do të ndalonte operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, por vetëm nëse Hamasi dorëzohet dhe çarmatoset plotësisht.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur sulmet ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite në Gaza janë intensifikuar ndjeshëm, duke shkaktuar humbje të mëdha në radhët e civilëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, nga 11 deri më 17 maj, të paktën 464 palestinezë janë vrarë dhe 1,418 janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Këto shifra tronditëse kanë ngjallur reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, i cili dënon dhunën dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme për ndalimin e gjakderdhjes.
Në një deklaratë nga zyra e tij, Netanyahu theksoi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë largimin e Hamasit dhe çarmatimin e plotë të enklavës palestineze.
“Ekipi negociator në Doha po përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi për të arritur një marrëveshje, qoftë sipas planit të propozuar nga ndërmjetësi amerikan Steve Witkoff, apo brenda një kornize më të gjerë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve, dëbimin e Hamasit dhe çarmatimin e Gazës”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit pranoi se përparimi në bisedime është ende minimal, duke lënë të hapur skenarin për vazhdimin e dhunës në rajon. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe për një zgjidhje paqësore që respekton të drejtat e të gjithë palëve të përfshira.
Lini një Përgjigje