TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Korrik 2026, 16:33

Netanyahu nxiton të rregullojë raportet me Trump, kryeministri izraelit planifikon vizitë zyrtare në Uashington

Shkruar nga Pamfleti
Netanyahu nxiton të rregullojë raportet me Trump, kryeministri
Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të udhëtojë së shpejti në Uashington për një takim me Presidentin amerikan Donald Trump, në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet që janë tensionuar muajt e fundit. Sipas raportimeve të CNN, Axios dhe mediave të tjera ndërkombëtare, takimi mund të zhvillohet javën e ardhshme, pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara më 7-8 korrik.

Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve që nga periudha para luftës me Iranin.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyahu janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve mbi operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe qasjen ndaj Iranit. Sipas raportimeve, Trump ka kritikuar në mënyrë të hapur veprimet e qeverisë izraelite dhe, në biseda private të publikuara në media, ka shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si Netanyahu ka menaxhuar krizën.

Megjithatë, presidenti amerikan ka deklaruar së fundmi se marrëdhënia e tyre mbetet e mirë dhe se Netanyahu "e di kush është shefi".

Nga ana e tij, Netanyahu synon të forcojë aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara, në një periudhë me rëndësi politike për Izraelin.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike të premten me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së. Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Netanyahu e cilësoi SHBA-në si "garante të lirisë globale", ndërsa të dy ranë dakord të takohen së shpejti në Uashington.

trump netanyahu

Lini një Përgjigje