
Biden u zotua se pakti i mbrojtjes reciproke i NATO-s është "i shenjtë" dhe se SHBA ishte e gatshme të mbronte fjalë për fjalë çdo pëllëmbë të NATO-s...
Presidenti Joe Biden u takua me krerët e nëntë vendeve në pjesët më lindore të aleancës së NATO-s në Bukurest dhe tha se SHBA do të mbrojë "fjalë për fjalë çdo pëllëmbë të NATO-s" përballë agresionit rus. Ndërkohë që Moska mirëpriti gatishmërinë e Kinës për të pasur një rol më aktiv në "zgjidhjen" e luftës së Ukrainës.
Vendet lindore të NATO-s kanë shprehur shqetësime se Putini mund të nisë veprime ushtarake kundër tyre në vijim, nëse ai është i suksesshëm në Ukrainë. Ndërkohë që Biden paralajmëron se liria është në rrezik.
"Ju jeni vijat e para të mbrojtjes sonë kolektive. Dhe ju e dini, më mirë se kushdo, se çfarë është në rrezik në këtë konflikt. Jo vetëm për Ukrainën, por për lirinë e demokracive në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën", tha Biden.
Por Biden u zotua se pakti i mbrojtjes reciproke i NATO-s është "i shenjtë" dhe se SHBA ishte e gatshme të mbronte fjalë për fjalë çdo pëllëmbë të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mori pjesë në takim, tha se duhej thyer cikli i agresionit rus.
"Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta, por kur të përfundojë, ne duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet", tha Stoltember.
Ndërkohë në anën tjetër, Rusia ka mirëpritur që Pekini të marrë një rol më aktiv në përpjekjet për të "zgjidhur" luftën, pasi kryediplomati kinez, Wang Yi u takua me Vladimir Putin në Rusi.
Pas takimit, Putin tha se mezi priste një vizitë në Moskë nga presidenti kinez Xi Jinping.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se udhëtimi i zotit Wang tregoi se Moska dhe Pekini ranë dakord për shumë çështje.
"Ne mirëpresim gatishmërinë e Kinës për të luajtur një rol pozitiv në zgjidhjen e krizës ukrainase," tha zonja Zakharova.
Kina ka refuzuar të kritikojë pushtimin e Ukrainës, ndërsa dënon sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, në këmbim, Rusia ka mbështetur Kinën mes tensioneve me SHBA-në për Tajvanin.
Vizita e kryediplomatit kinez në Rusi erdhi ndërsa Putin foli në një tubim të madh në Moskë. Ai tha se Rusia është krenar për ata që po luftojnë në Ukrainë për të mbrojtur atdheun, duke shtuar se i gjithë vendi i mbështet ata.
Rreth 200,000 njerëz ishin mbledhur në Moskë për të dëgjuar fjalimin e zotit Putin, teksa Biden kritikon masën e Rusisë për të ndërprerë bashkëpunimin në traktatin bërthamor, të cilin ai e quajti një "gabim të madh".
Nga ana tjetër Moska ka këmbëngulur se vendimi i saj për t'u tërhequr nga traktati i ri START nuk ngre rrezikun e luftës bërthamore. Por masa pritet të ketë një ndikim të menjëhershëm, pasi traktati vendoste një kufi në numrin e kokave bërthamore strategjike që SHBA dhe Rusia mund të vendosin.
Rusia ka thënë se nuk po tërhiqet plotësisht nga pakti dhe se do të respektojë kufijtë e armëve bërthamore të përcaktuara në traktat.
"Unë nuk besoj se vendimi për të pezulluar Traktatin e Ri START na afron me luftën bërthamore," tha zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov.
Por nuk ndan të njëjtin mendim me të, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev i cili tha se bota ishte "në prag të një konflikti global".
"Nëse SHBA dëshiron humbjen e Rusisë, ne kemi të drejtë të mbrohemi me çdo armë, përfshirë bërthamën", tha ai. /Përshtati “Pamfleti” nga “SkyNews”
Lini një Përgjigje