
Një ditë pas vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në Kiev hakerat rusë kanë sulmuar portalet e internetit të organizatave publike italiane.
Sipas shtypit italian, faqet e internetit të Karabinierëve, Ministrisë së Jashtme italiane, Ministrisë së Mbrojtjes dhe organizatave bankare janë çaktivizuar përkohësisht ose kanë pasur probleme lidhjeje.
Në mesazhet e tyre hakerat i referohen deklaratave të djeshme të kryeministres italiane Giorgia Meloni nga Kievi, ku tha se mbështeste Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.
Meloni u takuar pasditen e së martës në kryeqytetin ukrainas me presidentin e vendit Volodymyr Zelensky. Duke folur me gazetarët pas përfundimit të bisedimeve të tyre, Meloni tha se Italia po ofron mbështetje të plotë për Ukrainën dhe se nuk do të hezitojë ta ndihmojë në vazhdim.
“Italia do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e negociatave, por deri atëherë do të vazhdojë të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe sociale”, shtoi kreu i qeverisë italiane.
Hakerat mësohet se kanë rritur artificialisht trafikun në faqet zyrtare italiane, gjë që ka shkaktuar mbingarkim dhe rënie më pas të sistemit. Kjo teknikë është përdorur nga rusët për të sulmuar shtete të tjera si Gjermania, SHBA etj.
Lini një Përgjigje