Propozimi i Pakistanit për Hormuzin në tryezë, Shtëpia e Bardhë: Do të përgjigjemi
Pak orë para skadimit të ultimatumit të presidentit amerikan Donald Trump, Pakistani ka ndërhyrë me një apel diplomatik për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif i ka kërkuar zyrtarisht Trump që të shtyjë afatin për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin me dy javë, duke propozuar që gjatë kësaj periudhe Teherani të hapë Ngushticën e Hormuzit.
Në një reagim në platformën X, Sharif theksoi se përpjekjet diplomatike që janë aktualisht në zhvillim japin shenja pozitive dhe nuk duhet të ndërpriten në këtë fazë kritike.
“Këto përpjekje kanë gjasa të çojnë në rezultate konkrete në të ardhmen e afërt,” shkroi ai, duke shtuar: “Për t’i dhënë mundësi diplomacisë të ndjekë rrugën e saj, i kërkoj fuqimisht Presidentit Trump të zgjasë afatin me dy javë”.
Sharif i bëri thirrje gjithashtu Teheranit të hapë Ngushticën e Hormuzit për të njëjtën periudhë "si një gjest vullneti të mirë".
"Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të respektojnë një armëpushim kudo për dy javë për të lejuar diplomacinë të arrijë një fund përfundimtar të luftës, në dobi të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon", shtoi ai.
Pak më vonë reagoi Irani, i cili tha se po shqyrton në mënyrë pozitive propozimin e Pakistanit për shtyrjen e ultimatumit.
Lajmi u raportua nga Reuters, i cili citon një zyrtar të lartë iranian. Sipas këtij burimi, Teherani po vlerëson mundësinë e një shtyrjeje dyjavore të afatit, e lidhur me hapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit – një nga pikat më të ndjeshme të përplasjes aktuale.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se është në dijeni të iniciativës së kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif.
“Jemi në dijeni të propozimit dhe do të përgjigjemi,” deklaruan burime nga administrata amerikane, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi qëndrimin e Uashingtonit.
Pakistani ka luajtur një rol kyç si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit javët e fundit, në një përpjekje për të shmangur përplasjen direkte. Megjithatë, tensionet janë rritur ndjeshëm, sidomos pas ndërprerjes së kontakteve nga ana e Iranit dhe retorikës së ashpër nga SHBA.
Lini një Përgjigje