TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Dhjetor 2024, 11:20

Njihet si 'Kasapi i Hamës', xhaxhai i Bashar al-Assad arratiset në Dubai

Shkruar nga Pamfleti
Njihet si 'Kasapi i Hamës',  xhaxhai i Bashar al-Assad arratiset
Rifaat al-Assad fotografuar gjatë një interviste në AP më 27 maj 2005 në Marbella, Spanjë/ AP

Rifaat al-Assad, xhaxhai i liderit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, i akuzuar në Zvicër për krime lufte për shtypjen e përgjakshme të një kryengritjeje në vitin 1982, është arratisur nga Bejruti në Dubai ditët e fundit.

Kështu kanë deklaruar dy zyrtarë libanezë të sigurisë, të cituar nga “Jerusalem Post”.

Zyrtarët thanë se “shumë anëtarë” të familjes Assad ishin larguar nga Bejruti për në Dubai dhe të tjerët kishin mbetur në Liban që kur Assad u përmbys më 8 dhjetor. Autoritetet libaneze nuk kanë marrë kërkesa nga Interpoli për t’i arrestuar ata, përfshirë Rifaatin, thanë zyrtarët.

Nga ana tjetër, gruaja dhe vajza e një prej kushërinjve të presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad u arrestuan në aeroportin e Bejrutit, nga ku u përpoqën të largoheshin me pasaporta të falsifikuara, thanë zyrtarët libanezë të drejtësisë dhe sigurisë. Xhaxhai i Assadit është raportuar se është larguar ndërkaq një ditë më parë.

Rifaat, në fund të të 80-tave të tij, ishte vëllai i babait të Asadit, presidentit të ndjerë Hafez al-Assad, që udhëhoqi forcat elitare të cilat shtypën një kryengritje të Vëllazërisë Myslimane të vitit 1982 në qytetin e Hamës, duke vrarë më shumë se 10,000 njerëz. Në vitin 2022, grupi i pavarur i monitorimit të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) pretendoi se 30,000 deri në 40,000 civilë ishin vrarë në Hama.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës e ka referuar Rifaat al-Assad për gjykim me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për vrasjet dhe torturat në Hama, sipas parimit që të gjitha vendet kanë juridiksion mbi krime të tilla. Ai ka mohuar përgjegjësinë.

Këtë muaj, autoritetet gjyqësore zvicerane thanë se kishin sugjeruar se gjyqi mund të shtyhej për shkak të shëndetit të tij të keq.

Sulmi i Hamës i vitit 1982 shpesh përshkruhet si modeli për shtypjen e mëvonshme të Bashar al-Assad ndaj rebelimit që filloi në vitin 2011 dhe e rrëzoi atë këtë muaj. Kur rebelët pushtuan Hamën më 6 dhjetor, lideri i tyre Ahmed al-Sharaa iu referua asaj, duke thënë se ata do të "pastronin atë plagë që ka vazhduar në Siri për 40 vjet".

Rifat al-Assad ndihmoi Hafez al-Assad të merrte pushtetin në një grusht shteti në vitin 1970 dhe shërbeu si zëvendëspresident përpara se të sfidonte pa sukses vëllain e tij për pushtet dhe të shkonte në mërgim.

rifaat al-assad siri dubai

Lini një Përgjigje