TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shtator 2025, 22:10

Njohja e Palestinës, midis simbolit dhe realitetit!

Shkruar nga Pamfleti

Njohja e Palestinës, midis simbolit dhe realitetit!

Në ditën kur presidenti francez festonte “fitoren diplomatike”, krijimi i një shteti palestinez dukej më i largët se kurrë...

Më 25 shtator 2025, ndërsa në Kombet e Bashkuara mbahej një konferencë e nivelit të lartë për zgjidhjen me dy shtete dhe dhjetë vende perëndimore iu shtuan listës së gjatë të shteteve që tashmë kishin njohur Palestinën, në rrugën “Alon Road” pothuajse nuk kishte më makina palestineze. Shumica e rrugëve në Bregun Perëndimor janë sot të bllokuara me porta hekuri, që hapen dhe mbyllen sipas dëshirës së komandantëve të ushtrisë izraelite.

Kështu e nis artikullin e tij në Haaretz gazetari Gideon Levy, duke dhënë një panoramë të kontrastit mes diplomacisë ndërkombëtare dhe realitetit në terren.

Në të njëjtën ditë kur 159 shtete e njihnin “shtetin e ëndrrës”, një bari 81-vjeçar palestinez, Sadek Farhana, qëndronte i shtrirë në shtëpi, duke lëshuar ulërima nga dhimbjet. Një ditë më parë ishte rrahur brutalisht nga kolonët hebrenj, të cilët i kishin grabitur tufën e deleve. Nipit të tij, po ashtu të plagosur, i ishte fashuar koka pas sulmit. Policia izraelite u ngut të fajësonte barinjtë palestinezë, duke i akuzuar në mënyrë absurde se kishin vjedhur kolonët që i sulmuan.

Në ditën kur presidenti francez festonte “fitoren diplomatike”, krijimi i një shteti palestinez dukej më i largët se kurrë. As vetë presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, nuk iu lejua udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në konferencën ku diskutohej e ardhmja e vendit të tij, një shkelje flagrante e marrëveshjes së firmosur me OKB-në nga ana e Washingtonit.

Në të njëjtën kohë, njeriu më i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i akuzuar për krime kundër njerëzimit, përgatitej të udhëtonte drejt Nju Jorkut. Ironia është therëse: presidenti i një shteti që “nuk ekziston” flet përmes një lidhjeje video në Asamblenë e Përgjithshme, ndërsa i akuzuari kryesor i CPI-së del në podium para gjithë botës.

Në ditën kur bota njohu shtetin palestinez, 61 persona u vranë në Gaza, më shumë a më pak i njëjti numër si një ditë më parë dhe një ditë më pas, siç ka ndodhur muajt e fundit. Ky akt i njohjes nuk shpëtoi dhe nuk do të shpëtojë as edhe një fëmijë nga bombat. Gaza është bërë e pabanueshme, ndërsa gjendja e palestinezëve në Bregun Perëndimor po i ngjan gjithnjë e më shumë një realiteti të ngjashëm. Shumë pak gjasa ka që bariu i moshuar i rrahur brutalisht të ketë dëgjuar fare për këtë “fitore diplomatike”.

Deklaratat e Britanisë dhe Francës nuk ndryshuan asgjë për të; dhe nëse edhe Monako apo Andorra do t’i bashkoheshin listës, asgjë nuk do të kishte ndryshuar në fatin e tij. Asnjë deklaratë nuk i kthen delet e grabitura. Për Levy-n, Europa hipokrite thjesht bëri një tjetër deklaratë të zbrazët, duke treguar me gisht plagët e Gazës dhe Bregut Perëndimor, por pa ndërmarrë asnjë hap të prekshëm për t’i ndalur.

Ndërkohë që gjenocidi në Gaza vazhdon pa ndërprerje dhe kolonët, së bashku me ushtrinë izraelite, mbjellin terror në Bregun Perëndimor, bota “bëri detyrën minimale” duke njohur një shtet që ndoshta nuk do të lindë kurrë. Sa e lehtë është ta njohësh, sa e vështirë ta ndalosh vrasjen, ironizon Levy. Si gjithmonë, Izraeli reagoi duke e quajtur këtë hap “antisemitizëm”, ndërsa të gjitha partitë e opozitës izraelite, përfshirë Demokratët e Yair Golan, u rreshtuan krah qeverisë për ta dënuar.

Për ata që prisnin një hap drastik për të ndalur menjëherë shkatërrimin sistematik në Gaza, kjo lëvizje është një zhgënjim i madh. Liderët botërorë tani mund të qetësojnë ndërgjegjen dhe popujt e tyre të shqetësuar: kemi dënuar kriminelin, kemi shpërblyer viktimën, kemi bërë pjesën tonë. Gaza, në fakt, mbetet në flakë.

Levy e quan “absurde, gati të çmendur” njohjen e një shteti palestinez në këtë moment. Sipas tij, sot nuk ekziston një partner real për një zgjidhje me dy shtete, as në Izrael, as në Palestinë. Gaza është e shkatërruar, ndërsa Bregu Perëndimor është copëzuar në enklava që nuk ngjasojnë me një shtet, por me një mozaik bantustanësh. “Nëse doni të shpëtoni çfarë ka mbetur nga Gaza, duhet të vendosen menjëherë sanksione të ashpra ndaj Izraelit,” thekson ai.

Edhe pse analiza e Levy-t tingëllon e ashpër, ajo nxjerr në pah një realitet: njohja e Palestinës është një hap më tepër simbolik, me pak efekte konkrete. Historia shpesh i shpalos kuptimet e saj vetëm në të ardhmen, por aktualisht hipokrizia europiane është më e dukshme se kurrë. Ndoshta është më shumë një krim moral sesa një gjest hipokrit, pasi është zgjedhur simbolika për të shmangur aksionin e vërtetë.

Ndërkohë në Nju Jork, presidenti Trump, i cili kishte marrë një letër nga Hamas me ofertë për armëpushim, takoi liderët e vendeve arabe dhe myslimane të mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme. Sipas Times of Israel, Trump paraqiti një plan të detajuar për paqen në Gaza, i cili mori mbështetje nga të pranishmit.

Në skenë është rikthyer edhe ndërmjetësi i hershëm Steve Witkoff, i cili shprehu besimin se ditët e ardhshme mund të sjellin një marrëveshje që t’i japë fund gjakderdhjes. Në këtë kontekst, burime të Times of Israel theksojnë se Trump u ka deklaruar liderëve arabë se nuk do t’i lejojë Tel Avivit të aneksojë Bregun Perëndimor, një paralajmërim që përkon me qëndrimin e Arabisë Saudite, e cila kishte bërë të qartë se aneksimi do të ishte “vija e kuqe” me pasoja të rënda. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, kishte deklaruar se aneksimi “nuk është në planet aktuale të Tel Avivit”.

Ndërkohë, Netanyahu përgatitet të flasë në Asamblenë e Përgjithshme me retorikën e zakonshme dhe më pas të takohet me Trump, në një takim ku, sipas komentuesve izraelitë, nuk do të mungojë kujtesa e “detyrimit të bindjes” që Netanyahu ka ushtruar mbi presidentin amerikan. Të shpresosh se Trump do të qëndrojë i palëkundur është e vështirë, por gjithsesi e domosdoshme. /Përshtatur nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje