Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, ka paralajmëruar se vendi po përgatitet për një periudhë të zgjatur përballjeje ushtarake.
Ai u shpreh se Izraeli pret të përballet me disa javë të tjera luftimesh kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban.
“Pritet të përballemi me disa javë të tjera luftimesh kundër Iranit dhe Hezbollahut”, deklaroi Defrin.
Zëdhënësi i IDF theksoi se operacionet ushtarake synojnë dobësimin e kapaciteteve të kundërshtarëve.
“Çdo ditë që kalon, ne po e dobësojmë gjithnjë e më shumë regjimin terrorist. Nuk do të lejojmë që regjimi terrorist dhe ndihmësit e tij të përbëjnë një kërcënim për Shtetin e Izraelit", u shpreh ai.
Këto deklarata vijnë pas zhvillimeve të fundit, ku Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Situata ka nxitur reagime zinxhir në rajon, me përfshirjen e aktorëve të tjerë si Hezbollahu në Liban, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë.
Lini një Përgjigje