Rritja e kostos së jetesës, lufta me Iranin dhe politikat e brendshme nxjerrin miliona amerikanë në rrugë
Mbi 3,100 protesta janë planifikuar sot në të gjithë Shtetet e Bashkuara nën sloganin “Pa mbretër”, në një mobilizim kombëtar kundër Presidentit Donald Trump. Organizatorët presin pjesëmarrje masive, nga shtetet jugore deri në ato perëndimore, në një valë që tejkalon protestat e një viti më parë.
Ndryshe nga mobilizimet e mëparshme, këtë herë pjesëmarrja nuk përqendrohet vetëm në qytetet e mëdha. Sipas organizatorëve, dy të tretat e personave të regjistruar vijnë nga zona periferike dhe rurale, çka tregon zgjerim të pakënaqësisë përtej bastioneve tradicionale politike.
Protestat zhvillohen në një moment kur ekonomia amerikane përballet me rritje të çmimeve të karburantit dhe kostos së jetesës, ndërsa përfshirja në luftën me Iranin ka shtuar tensionin politik dhe publik. Paralelisht, aksionet e ashpra për emigracionin dhe përdorimi i forcave federale në qytete kanë qenë ndër pikat kryesore të kritikës.
Presidenti Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance i kanë minimizuar këto protesta. Në reagime të mëparshme publike, ata i kanë cilësuar si të parëndësishme dhe pjesëmarrësit si jo përfaqësues të shumicës. Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënëses Abigail Jackson, deklaroi se protestat shqetësojnë vetëm mediat.
Megjithatë, organizatorët deklarojnë se lëvizja është zgjeruar dhe nuk lidhet më vetëm me një çështje. Sipas tyre, ajo përfshin kundërshtimin ndaj politikave të brendshme, zhvillimeve ndërkombëtare dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit.
Aktivisti për të drejtat civile, Al Sharpton, deklaroi se protesta synon mbrojtjen e votës dhe të funksionimit demokratik. Ndërsa organizata MoveOn e cilëson administratën aktuale si kërcënim për qytetarët, duke përmendur ndikimin në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Një nga ngjarjet kryesore pritet të zhvillohet në Minesota, ku muzikanti Bruce Springsteen do të performojë një këngë proteste të lidhur me operacionet federale të emigracionit.
Organizatorët theksojnë se protesta nuk është episod i izoluar, por vazhdim i një lëvizjeje që ka evoluar gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, ndryshimi i kontekstit, nga ndërhyrjet federale në qytete deri te lufta me Iranin, nuk ka ndryshuar thelbin e pakënaqësisë.
Në këtë situatë, protestat “Pa mbretër” synojnë të tregojnë një reagim të gjerë publik ndaj mënyrës së qeverisjes dhe vendimeve politike në SHBA. /Pamfleti
Ja i futi Putini Amerikaneve me kaqolin qe zgjodhen ne krye.