
Nga montatori i gazit te bankierët, dhëndri i kryeministrit dhe oligarku i teknologjisë; si u ndërtua rrjeti që kontrollonte ekonominë hungareze...
Regjimi i ndërtuar nga Viktor Orbán në Hungari nuk mbështetej vetëm mbi vota dhe retorikë nacionaliste, por mbi një arkitekturë të mirëorganizuar ekonomike, ku një grup i kufizuar biznesmenësh kanë përfituar në mënyrë disproporcionale nga afërsia me pushtetin. Ky rrjet oligarkik ishte bërë shtylla reale e sistemit: financues, përfitues dhe njëkohësisht garantues i qëndrueshmërisë së tij.
Figura më emblemë e këtij modeli mbetet Lőrinc Mészáros, ish-montatori i gazit nga Felcsút, i cili brenda një dekade u shndërrua në një nga njerëzit më të pasur në vend. Rritja e tij nuk mund të kuptohet jashtë lidhjes personale me Orbánin dhe aksesit të privilegjuar në tendera publikë, projekte infrastrukturore dhe fonde europiane. Ai është prova më e dukshme se si pushteti politik mund të krijojë pasuri në shkallë industriale.
Në një nivel tjetër qëndron Sándor Csányi, bankieri më i fuqishëm në vend dhe drejtues i OTP Bank. Ndryshe nga oligarkët e rinj, Csányi përfaqëson elitën financiare tradicionale që ka ditur të përshtatet me çdo qeveri, por që nën Orbán ka ruajtur një marrëdhënie bashkëpunimi strategjik. Ai nuk është produkt i sistemit, por pjesë e mekanizmit që e stabilizon atë.
Roli i lidhjeve familjare në këtë strukturë është po aq domethënës. István Tiborcz, dhëndri i kryeministrit, është një tjetër figurë që ka përfituar nga projektet publike, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ndriçimit urban. Rasti i tij ka tërhequr vëmendjen edhe të institucioneve të Bashkimi Evropian, duke u kthyer në simbol të konfliktit të interesit dhe përdorimit të fondeve europiane për interesa private.
Por modeli oligarkik i Orbánit nuk mbeti i kufizuar vetëm te ndërtimi dhe financat. Ai ka evoluar drejt sektorëve strategjikë të së ardhmes. Këtu hyn në lojë Gellért Jászai, figura që përfaqësonte “fazën e re” të këtij sistemi. Si drejtues i grupit 4iG, Jászai ka ndërtuar një perandori në telekomunikacion dhe teknologji, duke e kthyer kompaninë në një instrument kyç të zgjerimit ekonomik hungarez në rajon, përfshirë Ballkanin.
Ndryshe nga Mészáros, që simbolizon pasurimin përmes betonit dhe tenderave, Jászai operon në një fushë shumë më të ndjeshme: kontrollin e rrjeteve, të dhënave dhe infrastrukturës dixhitale. Kjo e bënte atë një aset strategjik për pushtetin, sepse ndikimi në epokën moderne nuk matet vetëm me prona fizike, por me kontroll mbi informacionin dhe komunikimin.
Në prapaskenë, figura si Árpád Habony dhe Antal Rogán garantonin kontrollin mbi narrativën publike, duke lidhur interesat ekonomike me makinerinë propagandistike. Kjo treshe; biznes, politikë dhe media, krijon një sistem të mbyllur, ku konkurrenca reale është minimale dhe besnikëria ndaj pushtetit shpërblehej financiarisht.
Në thelb, oligarkët e Orbánit nuk ishin thjesht përfitues të sistemit; ata ishin arkitektët e tij të padukshëm. Ata financonin, kontrollonin dhe eksportonin modelin hungarez përtej kufijve, duke e kthyer atë në një formë të re të kapitalizmit politik. /Pamfleti
Lini një Përgjigje