TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Maj 2025, 14:48

Pesë vjet nga Brexit: A po ribashkohen Britania dhe BE-ja?

Shkruar nga Lauren Frayer
Pesë vjet nga Brexit: A po ribashkohen Britania dhe BE-ja?
Ursula von der Leyen dhe Keir Starmer

Ndërsa Britania dhe Bashkimi Evropian mbajtën të hënën samitin e tyre të parë që nga Brexit, analistët thonë se ajo që po shohim nuk është dhe aq situata e një çifti që po ribashkohet, por më shumë e dy ish-partnerëve, që e kuptojnë se ende duhet të punojnë së bashku për hir të fëmijëve.

Kanë kaluar nëntë vjet (2016), që kur britanikët votuan për t’u larguar nga BE-ja dhe 5 vjet (2020) që kur Britania doli zyrtarisht nga blloku. Për disa britanikë, Brexit nënkupton aftësinë për të kontrolluar kufijtë e tyre dhe lirinë nga rregulloret e Brukselit.

Për të tjerët, ishte një autogol i turpshëm, që e ka zvogëluar ekonominë e tyre, dhe ka tronditur marrëdhëniet me partnerin e tyre më të madh tregtar. Por për shkak të luftës në Ukrainë dhe një administrate të dytë të Donald Trump që po rimendon aleancat e vjetra, Britania dhe BE-ja po kuptojnë se mund të kenë nevojë për njëra-tjetrën më shumë sesa e mendonin më herët.

Sondazhet tregojnë se shumica e britanikëve, besojnë tani se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja ishte një gabim. Disa e quajnë këtë “Bregret” ose “Regrexit”. Sepse pati probleme në ekonomi, ndërsa vetë Brexit ishte i rrëmujshëm.

Pati një fushatë, pastaj u mbajt referendumi i vitit 2016, pasuan 4 vjet negociata dhe dalja zyrtare në vitin 2020. Dhe tani ekziston edhe ajo që disa e quajnë “Bresignation”, pra ideja që edhe nëse ka qenë një hap i gabuar, Britania i është dorëzuar fatit të saj jashtë BE-së dhe ka pak dëshirë për ta përmbysur procesin.

Pra, Starmer, i cili dikur ishte kundër Brexit-it, thotë se po bën atë që e quan një “rivendosje” të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. “Kjo situatë, ngjan me atë çiftin që është ndarë, por që ka ende shumë gjëra për të menaxhuar së bashku. Pra, nuk është thjesht si të ndash koleksionin e disqeve muzikore”, thotë Jill Rutter, një ish-nëpunëse e lartë civile për Mbretërinë e Bashkuar që punoi për Brexit-in.

“Po ta vazhdojmë paralelizmin, çifti ra dakord për një marrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve për 5 pesë vjet. Por pastaj, thanë se do të ulemi sërish, dhe do ta zgjidhim këtë çështje në planin afatgjatë”, shtoi ajo.

Britania dhe Bashkimi Evropian, zhvillojnë tashmë tregti midis tyre pa tarifa, sipas marrëveshjes së tyre të shkëputjes së vitit 2020. Prandaj, tani po diskutohen gjëra më të vogla. Për shembull sa qasje mund të ketë industria evropiane e peshkimit në ujërat britanike, nëse studentët britanikë mund të angazhohen në punë sezonale verore në Evropë dhe anasjelltas.

Apo se cilat kalime në aeroport, mund të përdorin qytetarët e të dyja vendeve. Qeveria britanike do të mbetet jashtë bllokut tregtar të tregut të përbashkët të BE-së. Ajo do të vazhdojë të nënshkruajë marrëveshjet e veta tregtare dypalëshe me vendet e tjera.

Kohët e fundit, ajo arriti një marrëveshje për lehtësimin e tarifave të SHBA-së mbi çelikun, aluminin dhe shumicën e makinave britanike. Ndërkohë, këtë muaj nënshkroi një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare me Indinë.

Një tjetër “vijë e kuqe” për Britaninë është lëvizshmëria. Kur ishte pjesë e Bashkimit Evropian, cilido prej qytetarëve të shteteve të tjera anëtare mund të jetonte dhe punonte lirisht në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është një nga gjërat që e motivoi Brexit-in.

Shumë britanikë që votuan për t’u larguar nga BE-ja, thonë se e bënë këtë sepse duan të kontrollojnë kufijtë e tyre, të kufizojnë migracionin dhe të kenë të drejtë të vendosin se kush mund të hyjë, dhe jetojë e punojë në vendin e tyre.

Emigracioni është ende një çështje e diskutueshme në Britani. Një parti e ekstremit të djathtë kundër emigrantëve e quajtur, Reformo Britaninë e Madhe, e udhëhequr nga një njeri i besueshëm i Donald Trumpit, Nigel Farage, arriti një fitore të madhe në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Angli muajin e kaluar.

Keir Starmer, Partia Laburiste e qendrës së majtë e të cilit ka një shumicë të madhe në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ka përqafuar një pjesë të retorikës populiste të

Farage mbi migracionin. Disa të djathtë, e akuzojnë Starmer se me samitin e të hënës ka dalë hapur kundër vullnetit të votuesve në referendumin e Brexit-it të vitit 2016.

Disa nga tituj kryesorë të gazetave e akuzuan atë për “tradhti” dhe “shitje”. Farage e quan qëndrimin e Starmerit një ”dorëzim të mjerë”. “Aktualisht jemi në një situatë ku Reform UK po ecën shumë mirë në sondazhe. Si ata, ashtu edhe Partia Konservatore në opozitë janë fuqishëm kundër çdo lloj rinegocimi me Bashkimin Evropian”- shprehet Anand Menon, profesor i politikës evropiane në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

“Prandaj edhe brenda qeverisë, ekziston frika se nëse shkohet shumë larg, apo nëse nxjerrin shumë lëshime nga ky negocim me BE-në, do të jenë të prekshëm ndaj kritikave nga e djathta”, shton ai.

Eksperti thekson se me tregun e përbashkët dhe lirinë e lëvizjes që janë tema jashtë diskutimit, ato që kanë mbetur janë gjëra në shkallë më të vogël: Si të përmirësohet tregtia bujqësore, ose si t’ua lehtësojmë avokatëve dhe kontabilistëve punën në vendet e njëri-tjetrit etj.

Dhe në fakt, ata po njoftojnë marrëveshje të reja mbi të drejtat e peshkimit. Një marrëveshje fillestare pas Brexit-it, që rregullon qasjen reciproke në ujërat britanike dhe evropiane, do të skadojë në fund të qershorit 2026. Po ashtu, ka të ngjarë të ketë bashkëpunim në politikën e klimës, tregjet e karbonit, apo edhe në muzikë.

Elton John ka lobuar për më pak burokraci për muzikantët britanikë që shkojnë në ture koncertesh nëpër  Evropë. Por në përgjithësi, analistët thonë se më e rëndësishme është simbolika e këtij samiti - pra fakti që po ndodh - dhe jo përmbajtja e tij.

Marrëveshjet më të rëndësishme mund të lidhen me mbrojtjen, sigurinë - dhe në fund të fundit, me Ukrainën. Që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë, Britania dhe BE-ja kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës.

Ata po forcojnë tashmë mbrojtjen, dhe kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje. Të dyja janë të angazhuara në një përpjekje historike për riarmatim, për shkak të paralajmërimeve të administratës Trump se SHBA-të mund të mos e garantojnë përgjithmonë sigurinë e Evropës.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja po shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre, për shkak të thirrjeve të përsëritura të Trump, që anëtarët e NATO-s të ndajnë barrën e financimit dhe armatosjes së aleancës.

Këto qasje të reja gjeopolitike, kanë përgatitur terrenin për lidhje të ripërtërira midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. “Dy gjëra po ndodhin në fushën e mbrojtjes dhe tregtisë: Njëra është se SHBA-të nuk duken më aq të përkushtuara ndaj sigurisë së Evropës, dhe kjo është arsyeja pse po ndodh një evropianizim i mbrojtjes”, thotë Rutter, ish-zyrtar gjatë Brexit.

“I dyti është Donald Trump, i cili ka bërë shumë më të trazuar mjedisin tregtar të gjithë botës. Disa në Mbretërinë e Bashkuar po na thonë: A nuk doni të jeni të paktën në një nga këto blloqe të mëdha tregtare? Sepse ky është një vend më i sigurt”, thekson ai.

"Brexit ishte i trazuar dhe i hidhur. Për vite me radhë, pati tensione dhe ndjenja kontradiktore. Por me luftën në Ukrainë dhe Trumpin në pushtet", thotë Menon.

“Në fakt, pavarësisht të gjitha dallimeve tona, në një botë po aq të frikshme sa ajo në të cilën po jetojmë, ekzistojnë çështje më të mëdha ku duhet të punojmë së bashku”, mendon politologu./ Përshtati "Pamfleti" nga “National Public Radio”

Lini një Përgjigje