Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, deklaroi se vendi i tij do të zbatojë urdhrat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për çdo person të shpallur në kërkim, përfshirë edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti.
Në vitin 2024, ICC akuzoi Netanyahun për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte në konfliktin në Gaza.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Magyar theksoi detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në ICC. “Nëse dikush është anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe një person i kërkuar hyn në territorin tonë, atëherë ai duhet të merret në paraburgim. Nuk kam nevojë t’i shpjegoj të gjitha në telefon. Supozoj se çdo kryetar shteti dhe qeverie është i njohur me këto ligje”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një moment kur vetë Magyar ka ftuar Netanyahun për një vizitë në Budapest në muajin tetor. Ai sqaroi se kjo ftesë është pjesë e një praktike më të gjerë diplomatike, duke shtuar se ka ftuar të gjithë liderët me të cilët ka zhvilluar biseda telefonike për të marrë pjesë në 70-vjetorin e kryengritjes anti-sovjetike të vitit 1956.
Njëkohësisht, Magyar bëri të ditur se synon të ndalojë procesin e tërheqjes së Hungarisë nga ICC, i nisur nga qeveria aktuale e Viktor Orban. Ky vendim ishte marrë pas një takimi të Orbanit me Netanyahun dhe pritet të hynte në fuqi më 2 qershor të këtij viti.
“E kam bërë të qartë, edhe për kryeministrin izraelit, se është synimi im të ndaloj tërheqjen e vendit nga ICC”, tha Magyar, duke shtuar se qeveria e tij mund të ndërhyjë përpara përfundimit formal të procesit.
Çështja e urdhër-arrestit ndaj Netanyahut ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të ICC, ndërsa Kombet e Bashkuara i kanë kritikuar këto masa, duke i cilësuar si “masa ndëshkuese”.
Lini një Përgjigje