TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Maj 2025, 13:18

‘Pfizergate', Gjykata e BE urdhëron publikimin e mesazheve sekrete; si po goditet reputacioni i Von der Leyen

Shkruar nga Pamfleti

‘Pfizergate', Gjykata e BE urdhëron publikimin e mesazheve

Çështja ishte ligjërisht e ndërlikuar për von der Leyen sepse ajo jo vetëm që nënshkroi personalisht kontratën më të madhe të vaksinës së bllokut, por kryeson edhe institucionin e ngarkuar me zbatimin e ligjit të BE-së, i cili përfshin parimet e transparencës dhe llogaridhënies

Komisioni Evropian gaboi që refuzoi publikimin e mesazheve të Ursula von der Leyen me drejtorin ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, në kulmin e pandemisë Covid-19, vendosi një gjykatë e BE-së.

Gazetarët kishin kërkuar të shihnin mesazhet sekrete midis presidentes së Komisionit dhe shefit të kompanisë farmaceutike , të cilat ata i shkëmbyen përpara një marrëveshjeje shumëmiliardë eurosh për vaksinën e arritur midis Pfizer dhe BE-së.

Vendimi ka të ngjarë të ketë pasoja të mëdha për transparencën dhe llogaridhënien në BE dhe i jep një goditje të madhe reputacionit të von der Leyen.

Vendimi është një “goditje e fortë për transparencën”, tha eurodeputetja holandeze Raquel García Hermida-van der Walle, e cila po bashkë-negocion ndryshimet në një ligj që rregullon aksesin në dokumente në emër të grupit liberal Renew Europe. “Njerëzit thjesht duan dhe u lejohet të dinë se si merren vendimet, kjo është thelbësore në një demokraci. Edhe nëse është bërë me anë të një mesazhi tekst.”

Në një deklaratë, Gjykata e Përgjithshme e BE-së tha se Komisioni “nuk kishte arritur të shpjegonte në një mënyrë të besueshme pse konsideronte që mesazhet me tekst të shkëmbyera në kontekstin e prokurimit të vaksinave kundër Covid-19 nuk përmbanin informacione të rëndësishme,ruajtja e të cilave duhet të sigurohet”.

Thelbi i çështjes është nëse mesazhet me tekst duhet të klasifikohen si dokumente dhe për këtë arsye të jenë të pranueshme për t'u publikuar në emër të transparencës. Ndërsa aktivistët dhe shumë vëzhgues të jashtëm thonë se ato duhet të trajtohen njësoj si çdo mjet tjetër komunikimi zyrtar kur lidhen me hartimin e politikave, Komisioni tha se nuk duhet.

“Transparenca ka qenë gjithmonë me rëndësi të madhe për Komisionin dhe Presidenten von der Leyen”, tha Komisioni në një deklaratë pas vendimit.

Në vijim Komisioni thekson: “ne do të vazhdojmë t’i përmbahemi në mënyrë strikte kuadrit të fortë ligjor në fuqi për të zbatuar detyrimet tona”.  Ai tha se do të “vendosë për hapat e mëtejshëm”.

Ekzistenca e mesazheve, të cilat Komisioni fillimisht nuk i konfirmoi, u zbulua në një intervistë që von der Leyen dha për New York Times në vitin 2021.

Por ekzekutivi i BE-së i tha gjykatës në Luksemburg gjatë një seance paraprake dëgjimore vitin e kaluar se përmbajtja e tyre nuk ishte mjaftueshëm e rëndësishme që ato të klasifikoheshin si dokumente - prandaj ato nuk ishin të regjistruara dhe të disponueshme për t'u lëshuar gazetarëve.

Në deklaratën e saj, gjykata shtoi: “Komisioni nuk mund të deklarojë thjesht se nuk i zotëron dokumentet e kërkuara, por duhet të ofrojë shpjegime të besueshme që i mundësojnë publikut dhe Gjykatës të kuptojnë pse këto dokumente nuk mund të gjenden.”

Çështja ishte ligjërisht e ndërlikuar për von der Leyen sepse ajo jo vetëm që nënshkroi personalisht kontratën më të madhe të vaksinës së bllokut, por kryeson edhe institucionin e ngarkuar me zbatimin e ligjit të BE-së, i cili përfshin parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Me vendimin e gjykatës kundër saj, kjo u siguron municion politik një game të gjerë kritikësh.

Por gjithashtu ky është një turp i madh duke pasur parasysh se kanë kaluar vetëm pak muaj pasi ajo  u zotua publikisht se  do të mbronte standardet e transparencës, efikasitetit dhe ndershmërisë në mandatin e saj të dytë.

Çështja u iniciua nga The New York Times dhe ish-shefi i byrosë së saj në Bruksel, i cili ngriti një padi kundër vendimit të Komisionit për të mos publikuar mesazhet me tekst në vitin 2022.

Ekzistenca e mesazheve u zbulua në një  intervistë për New York Times në prill 2021, ku Bourla i përshkroi shkëmbimet e tyre si nxitje të "besimit të thellë" dhe lehtësim të negociatave për një marrëveshje të konsiderueshme vaksinash. Kjo marrëveshje,  e finalizuar në maj 2021 , përfshinte angazhimin e BE-së për të blerë deri në 1.8 miliardë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech kundër Covid-19, më e madhja deri më tani nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Brukseli. /Përshtati Pamfleti nga Politico/

Lini një Përgjigje