Bota 5 Mars 2023, 10:59

Plani franko-gjerman, Vuçiç e pranon: Po përballemi me presione të vështira për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Plani franko-gjerman, Vuçiç e pranon: Po përballemi me
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia do të përballet me presione të vështira për Kosovën, raporton “Tanjug”.

Vuçiç është pyetur nga një gazetar në lidhje me kërkesën e deputetëve të “Alternativës për Gjermaninë në Bundestag të Gjermanisë, që kërkojnë që Gjermania ta tërheqë njohjen e Kosovës”.

Vuçiçi ka thënë se nuk është reale kjo, pasi që Gjermaninë e udhëheq qeveria e Olaf Scholzit.

Vuçiç si zakonisht, ka paralajmëruar “presione të vështira për Serbinë”.

“Por, ne sigurisht do të përballemi me presione të vështira. Ka pasur shumë të pavërteta e gënjeshtra ditëve të fundit, pasi shumë ishin të zemëruar dhe po shpresonin që unë do të firmosi diçka dhe të mund të thonin se Serbia ka humbur. Por, ata kurrë nuk kanë qenë të shqetësuar për Serbinë, por për kolltukët e tyre dhe arkat e plota të cilat nuk i meritojnë”, ka thënë Vuçiç për gazetarët nga Doha.

Vuçiç ka thënë se situata sot është më ndryshe e se “27 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës” në kohën e tij. Ai është pyetur edhe për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “Vuçiç flet vetëm për Asociacionin”.

“Unë kam problem në të folur, ka të drejtë Kurti, qëndroj pas të drejtës ndërkombëtare, qëndroj prapa Kartës së OKB-së dhe i përmbahem marrëveshjeve të nënshkruara”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka folur edhe në lidhje me akuzat nga Rusia se Serbia ka dërguar armë në Ukrainë.

“Nuk kemi shitur asnjë armë, mjet apo municion as Rusisë e as Ukrainës. Ne kemi edhe autorizimin ‘përdoruesi i fundit’ dhe vetëm eksportojmë tek ata.”, tha Vuçiç.

Duke iu përgjigjur akuzave se bëhet eksporti nëpërmjet Turqisë, ai tha se marrëveshjet janë që nuk mund të dërgohet municioni në vende tjera pa pëlqimin e Serbisë.

vuçiç serbia kosova